Lumbardhi ju fton në lansimin e “Lumbardhi: një Histori Episodike” që mbahet me 25 maj prej orës 19:00 në Kino Bahçe.
Libri flet për takimin dhe ndërveprimin midis Kino Lumbardhit dhe Prizrenit, prej rrethanave që sollën te hapja e kinemasë në vitin 1952 e deri te ndalja e aktivitetit pas falimentimit të ndërmarrjes shoqërore “Kino Bistrica” në fillim të shekullit të ri.
Duke u mbështetur në procesin e mbledhjes dhe interpretimit të materialeve të gjetura në kinema, në arkivin e gazetës “Rilindja” dhe burime tjera, sikurse dëshmitë e akterëve në epizode kyqe, hulumtuesit Bengi Muzbeg dhe Tevfik Rada sjellin një tregim të fragmentuar që përshkruan ndeshjet dhe kontradiktat mes një ndërtese, një qyteti dhe artit të kinemasë, përbrenda kontekstit të transformimeve shoqërore, politike e teknologjike.
“Lumbardhi: një Histori Episodike” është botuar nga Fondacioni Lumbardhi me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Sportit të Kosovës, zyrës në Kosovë të forumZFD, Fondacionit për Iniciativa të Artit dhe me bashkëpunim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.