Kino Lumbardhi

Kinemaja Lumbardhi u krijua në 1952 në Prizren, atëbotë, në Jugosllavinë Socialiste. E hapur si pjesë e një ndërtim modern kulturor në një shtet të sapokrijuar, fillimisht funksionoi si një kinema e brendshme. Në vitin 1959, kinemaja në ambient të hapur u vu në dispozicion të publikut. Deri në ndërhyrjen ushtarake në 1999, Lumbardhi funksiononte si një kinema e cila qeverisej si institucion publik i vetë-menaxhuar.

Pas luftës në 1999, dhe për shkak të vështirësive financiare dhe logjistike, ajo nuk mundi të rifunksionalizohej, dhe kështu u shndërrua në një pasuri për t’u likuiduar nga agjencia e privatizimit. Përkundër fatit të trishtuar institucional në situatën e re të pasluftës, kinemaja ruajti kuptimin e saj kolektiv si një vend kujtimi, tubimesh dhe festivalesh joformale.

Festivali i famshëm i filmit dokumentar të qytetit, Dokufest, i cili hapi edicionin e tij të parë në 2002 te Lumbardhi, ishte një lidhje e rëndësishme mes brezave e rinjë dhe të vjetër të filmëdashësve. Pas një iniciative që e shpëtoi atë nga shkatërrimi në 2007, u bë edhe një përpjekje për ta privatizuar atë në vitin 2014. Në dy dekadat e fundit, për shkak të rëndësisë monumentale dhe ekzistencës këmbëngulëse kundër privatizimeve, ndërtesa u bë një vend polemikash.

Plani i parë i rrënimit të kryetarit të atëhershëm të qytetit u ndërpre në vitin 2007. Përpjekja e dytë për prishjen dhe privatizimin e ndërtesës në vitin 2014 u kundërshtua ashpër nga fushata e udhëhequr nga EC Ma Ndryshe, DokuFest dhe Rrjeti i Organizatave Kulturore – RrOK, që arriti ta ndalojë procesin e privatizimit. Në bashkëpunim mes Ministrisë së Kulturës dhe Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Kinemaja Lumbardhi u shndërrua në një monument të trashëgimisë kulturore.