Komisioni Evropian dhe Europa Nostra sapo kanë shpallur fituesit e vitit 2022 për Çmimet e Trashëgimisë Evropiane / Çmimet Europa Nostra, financuar nga programi i BE-së për Evropën Kreative. Mes fituesve të këtij viti është edhe nisma “Lumbardhi Përsëri Publik” në kategorinë Angazhimi dhe Ndërgjegjësimi i Qytetarëve.
Këtë vit, që shënon 20 vjetorin e Çmimeve më prestigjioze të Evropës në fushën e trashëgimisë, 30 arritje të jashtëzakonshme të trashëgimisë nga 18 vende evropiane janë dhënë në pesë kategori. Këto kategori janë në përputhje me zhvillimet dhe prioritetet më të fundit në lidhje me politikën dhe praktikën e trashëgimisë në Evropë.
“Ndikimi që ka pasur nisma “Lumbardhi Përsëri Publik” në komunitetin lokal është shumë cilësor dhe dallohet për mënyrën se si ka ndikuar në politikat dhe qëndrimet e trashëgimisë kulturore në rajon e më gjerë. Angazhimi kreativ i të rinjve në aktivitete është i lavdërueshëm dhe bën të dukshme vlerat e shumta të vendeve të trashëgimisë për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe social të qyteteve”, theksoi juria e Çmimeve.
Ceremonia kryesore e çmimeve do të mbahet me 26 shtator në Pragë, ndërsa komunikatën e plotë dhe informacionet e detajuara për çmimin mund ti gjeni në lidhjen poshtë.