Rita Braga dhe Blla Blla Blla… në Skaj Sessions këtë tetor!

Me datë 12 tetor ju presim të gjithëve në Kino Lumbardhi për Skaj Sessions të fundit për këtë vit.

Skaj Session filloi si një program muzikor që lidh stile dhe gjeografi të ndryshme muzikore në një skenë dhe kemi pasur kënaqësinë të mirëpresim këtë vit në Kino Lumbardhi artistë si Siksa, Putan Club, Jay-Jay Johanson, Gillespie, Kolektiv RKS, Heavenphetamine, Tringa Sadiku dhe Torrin Williams, dhe tani jemi shumë të gëzuar që e mbyllim programin me dy performanca që lidhin meloditë shpirtërore dhe eklektike së bashku me ritmet e fuqishme dhe energjike në një natë me Rita Braga dhe Blla Blla Blla…

Rita Braga është muzikante nga Portugalia, muzika e së cilës frymëzohet nga pionerët e post-punk-ut, elektronikës dhe kabaretit.

Së fundmi, Braga ka lansuar albumin e saj të fundit “Illegal Planet” ndërsa vetë ka performuar në të gjithë botën përreth 15 vite dhe ka bashkëpunuar me artistë si Ana da Silva (The Raincoats), Felix Kubin, Ian Svenonius (që gjithashtu kemi patur kënaqësinë ta kemi patur në Kino Lumbardhi) dhe të tjerë.

Blla Blla Blla… u formua në vitin 1988 dhe kanë luajtur në vend, rajon dhe më gjerë. Bendi nisi të eksperimentonte në stile dhe forma të ndryshme muzikore derisa krijuan shenjën e tyre atë që ata e kanë quajtur: “Oversky balkanishe Re-formë”, që është dhe titulli i albumit të tyre të dytë.

Rryma muzikore në të cilën bëjnë pjesë konsiderohet shpesh si “art rock” duke përzier ritmet rock me instrumente të ndryshme, si në këtë rast, violina tipike e Blla Blla Blla…-ve, vokale të forta dhe performancë skenike krejt të veçantë.

Biletat i gjeni vetëm në Kino Lumbardhi deri para nisjes së performancave dhe kushtojnë 3 euro.

Shënim: Dyert hapen prej orës 20:00.

Për më shumë informacion, drejtohuni në rrjetet tona sociale.