Kinemaja Verore në Doku Kino Plato!

Lumbardhi prezanton programin e kinemasë verore në Doku Kino Plato!

– Përtej rebelimit dhe absurdit –

Nën këtë ombrellë tematike, këtë verë në korrik e gusht, presim audiencën me një seri të përzgjedhur filmash, në kinemanë e hapur në Doku Kino Plato. Shfaqjet e filmave nisin me 17 korrik, e ne sjellim në ekran atë që mund të emërtohet si ndërtim i identitetit, mungesë të përkatësisë dhe rrugëtimin njerëzor për ta gjetur të vërtetën mes ekranit të madh mes disa prej punëve më të fuqishme në kinemanë e pavarur. 

Në këtë program shtrihet një revolucion i strukur mes linjave bardhë e zi dhe shpërthimi struket në mesin e një absurditeti melankolik dhe një realitet ecën mes fijes së hollë që bashkon e ndan të shenjtën nga profania e kështu ne do të shohim se si punët e Marjane Satrapi, Tolga Karaçelik, dhe Jan Komasa shkërmoqin tabutë formale narrative. Ju ftojmë të shihni një botë krejt të re mes syve të karaktereve që i thyejnë kornizat e normës. 

Regjia: Marjane Satrapi, Vincent Paronnaud

Si homazh për Marjane Satrapi, e cila u nda nga jeta së fundmi, kjo shfaqje filmike përqendrohet te Irani, një vend që edhe sot është sërish në mesin e debateve të ashpra.Filmi shtrihet në kohë përgjatë Revolucionit Iranian të vitit 1979, e kjo vepër e animuar eksploron zhvillimet shoqërore dhe politike nga këndvështrimi i një vajze të re që vjen nga një familje moderne e asaj kohe. Përmes syve të saj, filmi sjell në ekran mënyrën se si revolucioni i zhvilluar kundër Shahut së bashku me shtresa të tjera të shoqërisë u shndërrua më pas në një sistem shtypës dhe fanatik. Pas premierës në vitin 2007, Persepolis u shfaq në shumë festivale dhe ndau Çmimin e Jurisë në Festivalin e Filmit në Kanë. 

24 korrik – Butterflies (Kelebekler) (2018)

Regjia: Tolga Karaçelik

Udhëtimi i tre motrave dhe vëllezërve të larguar nga njëri-tjetri ndërthuret me motive surrealiste të jetës rurale për të vënë në pikëpyetje mënyrat se si përballemi me dhimbjen dhe traumën. Duke dekonstruktuar konceptin tradicional të familjes, kjo narrativë e ndërthur absurdin me jetën e përditshme. Me një ton njëkohësisht serioz dhe komik, filmi shqyrton konceptet e familjes, identitetit dhe përkatësisë. Këtij filmi iu dha Çmimi i Madh i Jurisë në Festivalin e Filmit Sundance në vitin 2018.

31 korrik – Corpus Christi (2019)

Regjia: Jan Komasa

Komasa shqyrton kufirin mes së shenjtës dhe profanes përmes historisë së një të riu me një të kaluar traumatike, i cili i vesh vetes identitetin e një prifti. Skenat dinamike, të xhiruara me kamerë dore, e vizualizojnë hipokrizinë dhe kalbëzimin shpirtëror të një qyteti të vogël. Filmi është një studim mjeshtëror i personazhit, që ndërton konfliktin mes ftohtësisë së fesë institucionale dhe forcës së egër të besimit individual përmes interpretimit të pazakontë dhe hipnotizues të aktorit kryesor, Bartosz Bielenia. Corpus Christi është nderuar me çmimin Europa Cinemas Label në Edipo Re dhe me Cmimin Special të Jurisë në Festivalin e Filmit në Venecia.

Ky program i Fondacionit Lumbardhi mbështetet nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit, përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, si dhe DokuFest.