Donacion prej 2,500 librash nga Shkëlzen Maliqi

Fondacioni Lumbardhi zgjeron kolekcionin me donacion prej mbi 2,500 librash nga Shkëlzen Maliqi.

Filozofi, kritiku i artit, analisti politik dhe një ndër kontribuesit kryesor në zhvillimin e skenës së artit dhe kulturës së pavarur në 30 vitet e fundit në Kosovë, z. Shkëlzen Maliqi, nderoi Fondacionin Lumbardhi duke ia besuar mbi 2,500 tituj nga libraria e tij private, të grumbulluara në një periudhë prej më shumë se gjysmë shekulli, duke shënuar dhurimin e parë të këtij vëllimi për bibliotekën e Fondacionit Lumbardhi.

Ky kolekcion përfshinë një gamë të gjerë titujsh në gjuhë të ndryshme, që reflektojnë kuriozitetin e gjerë intelektual dhe profesional të z. Maliqi, duke përfshirë botime prej historisë së artit e bizantologjisë, shkenca sociale, politikë, letërsi, e botime të ndryshme mbi rajonin dhe Kosovën. Katalogimi dhe organizimi i librarisë, si dhe i arkivit personal të z. Maliqi do të realizohet në kuadër të projektit “Arkivi Publik” i cili nxitë krijimin e një biblioteke, arkivi dhe kolekcioni digjital të fotografive dhe dokumenteve në disa fusha që përkojnë me kërkimet e Lumbardhit dhe i hapen publikut në disa faza gjatë vitit 2022.

Projekti “Arkivi Publik” po ashtu do ta përkrahë ndërveprimin e hulumtuesve të Lumbardhit me komunitete kulturore, shkencore dhe me qytetarë të përkushtuar të të gjitha gjeneratave, për të zhvilluar një fond të përbashkët publik prej asaj që është në pronësi private. Kjo dije e përbashkët do të ndahet me hulumtuesit dhe të interesuarit nëpër hapësirat digjitale dhe ato të shfrytëzuara nga Fondacioni Lumbardhi dhe partnerët e tij, në formë të burimit primar si dhe programeve, bisedave e botimeve që dalin prej tyre dhe dokumentojnë aspekte të historisë moderne të Prizrenit dhe rajonit për publikun.

Të gjithë të interesuarit për të ndarë materiale, arkiva private apo libra, mund t’i drejtohen ekipit të Fondacionit Lumbardhi në info@lumbardhi.org.

Falenderojmë partnerët tanë PRESJE për akomodim të përkohshëm të koleksionit.

“Arkivi Publik” është nisur si projekt me përkrahjen e Fondit Ndërkombëtar të Ndihmës së Zyrës Federale të Punëve të Jashtme Gjermane, Instituti Goethe dhe partnerë të tjerë.

#LumbardhiNëTranzit #Faza2