Fondacioni Lumbardhi dhe DokuFest kanë nënshkruar marrëveshje tre-vjeçare të partneritetit strategjik, me qëllim të zhvillimit të nismave dhe programeve, ngritjen e kapaciteteve organizative dhe shkëmbimin e burimeve të përbashkëta.
Në kuadër të marrëveshjes përfshihet LXX, programi i filmit për 70-vjetorin e Kino Lumbardhi, i cili shtrihet edhe në edicionin e XXI të DokuFest, së bashku me një ekspozitë, një performancë dhe programe publike të cilat do të shpalosen në vijim.
Bashkëpunimi parasheh krijimin e hapësirave të përbashkëta të punës, rezidencës, studimit dhe prodhimit, për të mbështetur zhvillimin e krijimtarisë dhe burimeve vendore si dhe avancuar bashkëpunimet lokale e ndërkombëtare me individë dhe institucione të angazhuar në arte, film dhe edukim.
Marrëveshja vjen pas më se shtatë vite bashkëpunim në drejtim të rijetësimit të Kino Lumbardhit, zhvillimit të platformave në nivel lokal, qendror dhe rajonal, si dhe shkëmbimit të përvojave mes organizata. Ajo ofron kornizë afatmesme që do të zbatohet përmes ngjarjeve dhe projekteve të përbashkëta deri në vitin 2025 në kërkim, mësim dhe prodhim në arte pamore dhe zanore.