‘Kush janë Ferit dhe Nakiye Bayram?’ është ekspozitë e bazuar në hulumtimin ‘Formimi i Kombit’, të përgatitur nga Sezgin Boynik dhe Tevfik Rada në shtëpinë e Shani Efendiut, si pjesë e edicionit të tretë të Autostrada Biennale.
Ferit Bayram (1888-1965) ishte njëri nga intelektualët e majtë turq më me ndikim në Jugosllavi, i cili ishte i pari që redaktoi një alfabet në turqishten moderne në Jugosllavi, duke filluar në vitin 1947. Ferit Bayram ishte mësues, redaktor, shkrimtar, përkthyes dhe aktivist politik. Ai jetoi pothuajse tërë jetën e tij në Shkup, së bashku me Nakiye Bayram, e cila krahas Rosa Pavleva ishte njëra nga gratë e pakta në atë kohë që u përfshi në kauza socialiste në Maqedoni dhe Kosovë. Ky projekt kërkimor bazohet në materiale arkivore, përkthime të reja dhe intervista, dhe paraqet Ferit dhe Nakiye Bayram dhe bashkëmoshatarët e tyre në kontekstin e traditës socialiste ballkanike, të ndarë midis tri perandorive të mëdha (osmane, austro-hungareze dhe ruse) dhe kombeve të panumërta të vogla. Projekti tregon historinë e kauzave dhe jetës pasionante të aktivistëve që teorizonin në terren: duke zbuluar, nga e para, një model të ri të organizimit që do të ishte në të njëjtën kohë anti-imperialist, anti-nacionalist dhe anti-kapitalist.
Për më shumë rreth temës së ekspozitës mund të lexoni në bllogun tonë në kategorinë Formimi i Kombit: https://bllogu.lumbardhi.org/2021/01/14/kush-eshte-ferit-bajram/