Kinografia: Lumbardhi lanson identitetin e ri vizual

Fondacioni Lumbardhi ka kënaqësinë ta prezantojë identitetin pamor tranzitor “Kinografia” të  zhvillluar nga KHORA Office.

Frymëzuar nga elementet e pakapshme të trashëgimisë të zbuluara në Kinemanë Lumbardhi, Kinografia u zhvillua përgjatë kalimit gradual të Fondacionit Lumbardhi në Fazën II. Fjalori i saj pamor u ndërtua përmes procesit eksperimental të riparimit dhe rimendimit të kinemasë drejt një institucioni dinamik dhe bashkëkohor.

Dizajneri dhe drejtori kreativ, Ali Cindoruk nga KHORA shpjegon proceset e mendimit që formësojnë bazën e zhvillimit të Kinografisë:

“Ne jemi bashkuar në përpjekjet për ta shpëtuar Kinemanë Lumbardhi nga privatizimi apo nga rrënimi në vitin 2016. Që atëherë kemi qenë pjesëmarrës aktivë në formësimin e Fondacionit Lumbardhi. Qartësimi, destilimi dhe kristalizimi i ideve dhe mundësive që ndryshojnë dhe transformohen vazhdimisht në kohë ka qenë pjesë e kësaj pune. Përmes këtij procesi kemi krijuar shprehjet kyçe, përvojat dhe ndërveprimet hapësinore, pamore, materiale, dixhitale, narrative dhe të natyrës koreografike për Lumbardhin. 

Identiteti i Lumbardhit morri formë duke e imagjinuar atë si një institucion nga prizmi i dëshirave për të ardhmen, kapacitetet aktuale dhe lidhjet me trashëgiminë nëpërmjet banimit të tij në ndërtesën e Kino Lumbardhit.

Një përballje e rastësishme gjatë një studimi hapësinor na çoi në zbulimin e një sërë elementesh pamore të cilat ndërtesa i trashëgoi në formën e gravimit të drurit në dyert e një dollapi.

Këto elemente pamore, përkatësisht pesë forma abstrakte gjeometrike, do të bëheshin përbërësit e parë dhe themelues të “Kinografisë” – sistemit të identitetit të Lumbardhit që bazohet në konceptet e shumëfishimit dhe evolucionit dhe jo në një dizajn të njëtrajtshëm të përqendruar rreth një logoje. Ne i quajtëm këto forma ‘Kinogramë’ pasi ato e përbëjnë gramatikën themeluese të alfabetit pamor të Lumbardhit, një vazhdimësi shprehjesh të shumëfishta dhe të shtresuara që do të evoluojnë dhe zgjerohen në mënyrë dinamike në kohë, sikur vetë institucioni.

Lumbardhi i shprehë këto shumëfishime përmes disa pikave programore të dallueshme, të cilat ne i kemi gjeneruar si kinograme për QARK-un, Kinofigurimin, BLLOGU-n si dhe kampanja të ndryshme, që shpalosen me veti dhe përkohësi të ndryshme, por së bashku, formojnë një konglomerat që i përgjigjet vullnetit të vazhdueshëm prapa Lumbardhit”.