Fondacioni Lumbardhi ka kënaqësinë ta prezantojë Kinofigurimi: një arkiv i hapur, ekspozitë mbi historinë e Kino Lumbardhit dhe raportin e kinemasë me modernitetin në Prizren, bazuar në studimin arkivor të Tevfik Rada dhe Bengi Muzbeg.
Kinofigurimi: Nje arkiv i hapur është ekspozitë që përmban fotografi, objekte, dokumente e artikuj të integruar në ndërtesë, nga zyret në sallë, e nga lozhat deri në dhomë të projeksionit. Pjesët dhe ‘mbetjet’ arkivore të prezantuara nuk e krijojnë një tregim të plotë dhe nuk janë të bazuara në ndonjë rend kronologjik, por janë të pakompletuara dhe të hapura për interpretime. Ato me shumë gjasojnë në një kompozicion kinematik dhe jo-linear që përmes fragmenteve theksojnë aspekte të kësaj historie te ndërlikuar.
Kinofigurimi: Një arkiv i hapur do të hapet me 9 gusht nga ora 18:00, te Kino Lumbardhi dhe do të qëndrojë hapur deri me 27 shtator, 2021. Ekspozita do të shoqërohet me ngjarje, botime dhe biseda që ndërlidhen me studimin dhe historinë shumështresore të Kino Lumbardhit.
Kinofigurimi është realizuar në partneritet me Forum ZFD, zyra në Prishtinë, dhe është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Fondacioni për Iniciativa të Artit (FfAI), Banka Raiffeisen në Kosovë dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit.