Filmi “Proka” shenjon poetikën e stilit dallues të regjisorit të spikatur dhe ndërkombëtarisht të njohur Isa Qosja.
Kemi nderin që për ta diskutuar procesin e realizimit të filmit, gjuhën e tij kinematografike në përgjithësi dhe momente nga karriera e tij, regjisorin Isa Qosja do ta kemi të ftuar për një bisedë të drejtpërdrejtë në Dokukino, pas shfaqjes së filmit me 31 tetor, në orën 18:00.
Kur individi nuk shëmbëllen me të tjerët dhe sheh punën e vet, nuk fyen as nuk i bie në qafë askujt, domosdo që bie ndesh me mjedisin e thashethemnajave, me mjedisin e amullt e të përulur. Ai bie ndesh me ushtruesit e pushtetit, të cilët përmes tij duan njëkohësisht t’i disiplinojnë të nënshtruarit dhe të tregojnë pushtetin autoritar. Proka është një fatkeq që nuk i bën keq askujt, e sheh punën e vet, dashuron sinqerisht, përpiqet të kujdeset për të afërmit por përfundon tragjikisht.
Filmi njihet për gjerësitë panoramike të një ambienti të pazakonshëm dhe formën e zbërthimit individual të personazheve të skalitura mirë.
Çdo mbrëmje mes 27 dhe 31 tetor, duke filluar nga ora 18:00 kult filmat e prodhuar nga Kosovafilmi prezantohen nga Fondacioni Lumbardhi në Dokukino.
Hyrja ofrohet falas.
Realizimi i programit është mundësuar nga Raiffeisen Bank, Zyra Zvicerane për Bashkëpunim, Komuna e Prizrenit dhe KTV.