Në fillim të muajit dhjetor të vitit 2021, gjatë një konference për media Fondacioni Lumbardhi lansoi “Fazën II’ të zhvillimit institucional, duke shpalosur për publikun dhe mediat përmbledhjen e fazës së parë dhe planet për fazën e dytë.
Organizata e themeluar pas Iniciativës për Mbrojtje të Kino Lumbardhit, për 7 vite është angazhuar për rijetësimin e Kino Lumbardhit përmes ndërhyrjeve riparuese dhe aktivuese, dialogut mes hisedarëve, programeve të larmishme dhe avokimit për kalim të kinemasë në pronësi publike, në mënyrë që të realizohet restaurimi i plotë i saj si hapësirë shumë-funksionale e hapur për të gjithë, që i ruan vlerat e këtij aseti të trashëgimisë kulturore. Përgjatë kësaj periudhe, Fondacioni Lumbardhi dhe mbi 150 organizata, institucione, komunitete dhe grupe joformale kanë realizuar afër 1.000 ngjarje për mbi 100.000 vizitorë dhe shfrytëzues aktiv.
Në fjalën e tij, drejtori ekzekutiv Ares Shporta, tha që “pas një faze të gjatë të përqëndruar në rikthim dhe vizionim të kinemasë dhe organizatës, presim bashkëpunimin e institucioneve që të jetësohet ky vizion i ndërtuar bashkarisht. Në këtë fazë të re, Fondacioni Lumbardhi i zgjeron programet, kapacitetet dhe misionin përtej Kino Lumbardhit, për të bashkëpunuar me hapësira tjera në qytet, rajon dhe sferë digjitale, ndërsa përqendrohet në punë kërkimore, prodhim të dijes dhe përkrahje të nismave të ndryshme bashkëpunuese dhe afatgjata.” Ai shtoi se “Gjatë vitit 2022 do ta festojmë 70 vjetorin e hapjes së kinemasë, me komisionime të ndryshme, diskutime e ngjarje për të interpretuar aspekte të ndryshme të një historie të ndërlikuar. Duam ta kremtojmë punën tonë të deritanishme dhe u bëjmë thirrje institucioneve për bashkëpunim, që t’i japim një epilog pozitiv këtij rrugëtimi të gjatë dhe të fillojmë restaurimin e plotë të kinemasë gjatë këtij viti.“
Në vazhdim, së bashku me drejtoren e financave dhe administratës të Fondacionit Lumbardhi, znj. Fitore Rexhepi, ata ndanë informata rreth procesit të zhvillimit institucional të Fondacionit Lumbardhi dhe Kino Lumbardhit duke theksuar një numër të politikave, dokumenteve dhe reformave që kanë të bëjnë me vendimmarjen dhe praktikat e qeverisjes, financimin, zhvillimin e burimeve njerëzore, partneriteteve dhe transparencën e Fondacionit Lumbardhi, sikurse edhe shfrytëzimin dhe menaxhimin afatgjatë dhe të qëndrueshëm të Kino Lumbardhit. Me këtë rast u paralajmërua se në kuadër të tranzicionit, drejtori ekzekutiv dhe bashkëthemeluesi i Fondacionit Ares Shporta do të largohet nga kjo detyrë në pranverë të vitit 2022 dhe se pasardhësi apo pasardhësja do të përzgjedhet përmes një thirrjeje publike që do të hapet në fillim të vitit 2022. Për ta shënuar kalimin në Fazën II, Lumbardhi do ta lansojë webfaqen e re ku edhe prezantohet identiteti i ri pamor i Fondacionit dhe arkivi i programeve dhe kërkimeve, shoqëruar me kampanjën digjitale #LumbardhinëTranzit, që do ta zbërthejë këtë proces dhe vizionin përmes mjeteve të ndryshme.