Muzgu zanor: Tadi dhe Anisa

Muzgu zanor këtë javë vjen me një qasje të re ndaj tingujve, me praninë e artistes kosovare multidisiplinare Tadi e cila mes formash të tjera shprehet edhe përmes muzikës. Për Tadin shprehja përmes muzikës në thelb transmeton të vërtetën e gjendjes njerëzore. Me kompozimet dhe miksimet e saj ajo e bën pikërisht atë, duke përsëritur ritmet arketipale të meditimeve stërgjyshore përmes rrëfimeve gjithnjë në zhvillim dhe hulumtimeve mbi tingullin dhe zhurmën. Hibridet që rezultojnë në proces në mënyrën më të mirë i zbulojnë mutacionet tona njerëzore dhe i bëjnë ato të dëgjueshme.

Tadi dhe motra e saj Anisa do ta ngrohin atmosferën përmes interpretimit të tingujve të frymëzuar nga muzika persiane në defin iranian Erbane dhe defin turk Bindir. Mos e lëshoni këtë mundësi!

Biletat me çmim prej 2 eurosh janë në shitje te kafeja e Lumbardhit dhe në hyrje para koncertit. Ju mirëpresim në Kino Bahçe!

Ky koncert u mundësua me mbështetjen e Swiss Agency for Development and Cooperation (SDC) dhe të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.