Fondacioni Lumbardhi vazhdon programin e 70 vjetorit të themelimit të kinemasë me LXX, kësaj rradhe në ekranin e madh!
Pesë filma nga shtete të ndryshme të shfaqura në Kino Bistrica gjatë dekadave të ndryshme të jetës së kinemasë do të shfaqen mes 25-29 maj.
Programi hapet me filmin epik partizan dhe anti-fashist Beteja e Neretvës (1969) me regji të Veljko Bulajić, bazuar në ngjarje nga Lufta e Dytë Botërore. Ky është filmi më i shtrenjtë i prodhuar në ish Jugosllavi, i nomunuar për shpërblimin Oskar të akademisë së filmit në kategorinë e filmit më të mirë në gjuhë të huaj. Në mesin e ekipit ndërkombëtar të aktorëve luajnë Orson Welles, Sergei Bondarchuk, Curt Jürgens, Bata Živojinović, Ljubiša Samardžić dhe Faruk Begolli.
Filmat vijues janë: Dashuritë e një bjondeje – Miloš Forman, (1965), Era dhe Lisi- Besim Sahatçiu (1979), Vera e Thatë- Metin Erksan (1963), Njëherë e një kohë në Perëndim- Sergio Leone (1968).
Në hapje, fjalën do ta marrin drejtorja e Qendrës Filmike të Sarajevës, Ines Tanović, kuratorët e programit të filmit si dhe ish punëtorë të kinemasë Bistrica.
Filmi i hapjes shfaqet me 25 maj në Kino Bahçe, në vazhdim të promovimit të librit “Lumbardhi: një histori episodike”, me fillim nga ora 19:00.
Filmat e programit LXX janë përzgjedhur me kujdes nga grupi kuratorial i përbërë nga zëvendësdrejtori për kërkime dhe programe në Fondacionin Lumbardhi, Bengi Muzbeg, regjisorja, kuratorja dhe studiuesja Kumjana Novakova dhe drejtori artistik i DokuFest, Veton Nurkollari.
Programi i filmit LXX u mundësua me mbështetjen e Raiffeisen Bank Kosova, Bashkimit Evropian, Agjencionit Zviceran për Zhvillim dhe Bashkëpunim, Ministrisës së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Fondit Ndërkombëtar të Ndihmës së Zyrës Federale të Punëve të Jashtme Gjermane, Institutit Goethe dhe partnerëve të tjerë.
Programi u realizua në bashkëpunim me Dokufest, Filmski Centar Sarajevo, Vardar Film dhe World Cinema Project të Fondazione Cineteca di Bologna.