Me rastin e 70 vjetorit të themelimit të kinemasë, Fondacioni Lumbardhi prezanton programin e filmit LXX në formatin e Klubit të Filmit, të mërkurave dhe të shtunave nga ora 19:00, te Kino Holli.
Programi është zhvilluar në vazhdimësi të kërkimit arkivor të projektit Kinofigurimi, bazuar në listat e filmave të shfaqur në periudha të ndryshme të historisë së kinemasë.
Filmat janë përzgjedhur me kujdes nga grupi kuratorial i përbërë nga zëvendësdrejtori për kërkime dhe programe në Fondacionin Lumbardhi, Bengi Muzbeg, regjisorja, kuratorja dhe studiuesja Kumjana Novakova dhe drejtori artistik i DokuFest, Veton Nurkollari.
Deklaratë kuratoriale
“Nga fillimet modeste të viteve ‘50, përmes repertorit sy-qelës të viteve ‘60, deri tek mundësitë e shkëlqyeshme të viteve ‘70 dhe ‘80 e tutje, deri te rënia poaq e palavdishme gjatë viteve ’90, shkëlqimi i plotë i kinemasë botërore gjindej në këtë kënd të vogël botëror dhe në kinemanë ikonike Lumbardhi në Prizren, që këtë vit e feston 70 vjetorin e ditëlindjes.
Për ta shënuar këtë, një ekip i vogël kuratorial i përbërë zv. drejtori për kërkim dhe program i Fondacionit Lumbardhi, Bengi Muzbeg, kineastja, kuratorja e filmit dhe studiuesja Kumjana Novakova si dhe drejtori artistik i Dokufest, Veton Nurkollari kërkuan nëpër arkivat e kinemasë për të dalë me një përzgjedhje prej 70 filmash, dhe me synimin për të paraqitur para publikut një listë të larmishme dhe gjithëpërfshirëse të asaj që Amos Vogel argumenton se është, ‘potencialisht forma më e fuqishme e artit të shekullit.’
Në listë, do ta gjeni një përzgjedhje mbresëlënëse të filmave me vlerë shoqërore, kulturore dhe artistike, duke përfshirë filma të hershëm të luftës sovjetike, melodrama amerikane, filma nga neorealizmi italian dhe Vala e Re Franceze, filma amerikanë dhe spaghetti western, filma propagandistikë, si dhe një listë mbresëlënëse të pothuajse çdo filmi jugosllav të prodhuar në atë kohë, duke përfshirë këtu epikat e famshme të luftës. Mes filmash të tjerë, shpesh befasishëm, përfshihen edhe shembujt e pornografisë së hershme erotike dhe të butë, filmat horror dhe zhanre të tjera kinemaje që janë shfaqur në këto 70 vitet e fundit. Kemi kënaqësinë ta prezantojmë këtë koleksion, që besojmë se qëndron i bashkuar në një rrëfim dhe është një fotografi e kohëve të shkuara, me shpresën se publiku do ta shijojë atë po aq sa e shijuam ne procesin e përgatitjes së tij.“