Si ta përballojmë dimrin? Me muzikë. Mund të jetë një mënyrë.
Këtë mënyrë për ta zbutur stinën e ftohtë e kemi kthyer në një program muzikor që prej vitit 2023, duke ftuar artistë të ndryshëm vendas dhe ndërkombëtarë, për të përdorur hapësirat Kino Lumbardhit për muzikë eksperimentale.
Kësaj rradhe, Off the Record, rikthehet në fillim të muajit dhjetor me trion nga Shkupi të njohur si Svetlost. Svetlost është një grup i rëndësishëm i rrymës jazz në Maqedoninë e Veriut e muzika e tyre karakterizohet nga ritme energjike, të forta e të ndërlikuara.
Anëtarët e grupit Svetlost të krijuar në vitin 2014: Kristijan Novkovski (bateri), Deni Omegarić (bas) dhe Ninoslav Spirovski (klarinetë/saksofon) krijojnë një amalgamë muzikore elegante me nuanca të errëta, punk e të shthurura. Muzika e Svetlost ka marrë vlerësime ndërkombëtare dhe mban elemente të errëta, rrëfejnë dëshpërimin dhe trishtimin mes ritmeve dhe formave të jazz, modale dhe psikadelike.
Ata do të vijnë në Kino Lumbardhi edhe me albumin e tyre të fundit të titulluar “Everything was and it had been a minute ago” të bashkëprodhuar nga PMGJazz dhe Inverted Spectrum Records që përmban shprehi dhe përjetime të humbjeve vetjake dhe të përpjekjeve shoqërore të përditshme të trios. Në këtë paraqitje ata do të shoqërohen nga violinisti dhe kompozitori Gligor Kondovski.
Pjesë e këtij programi më parë kanë qenë Edona Vatoci, Viola Rrecaj, Agona Shporta, Tringa Sadiku, Blla Blla Blla.. (Toka Shitet), Jazzair’t, Cats Quartet, Elise dhe Ägain.