Lumbardhi prezanton: PORTRAIT OF A LADY nga Shilpa Ray
Shilpa Ray (USA) – Portrait of a Lady
Akti hapës: Zwada (RKS)
E dielë, 2 tetor – 20:00
Hyrja: Paguaj sa të don
Kino Lumbardhi
Me 2 tetor 2022, kantautorja amerikane nga Bruklini i Nju Jorkut, Shilpa Ray, e njohur për tingullin feminist eksperimental të punk-ut DIY, do të zbarkojë për herë të dytë te Lumbardhi gjatë turneut “Portrait of a Lady” (Portreti i një gruaje), paraprirë nga bendi lokal Zwada. Ky koncert njëherësh shënon edhe përmbylljen e sezonit të koncerteve te Lumbardhi.
Muzika e Shilpa Ray shpesh është krahasuar me Blondie, The Cramps dhe Screamin’ Jay Hawkins ndërsa këndimi i saj është krahasuar me stilin e Patti Smith, Nick Cave dhe Ella Fitzgerald. Ray është e njohur për kombinimin e harmoniumit indian me një qasje vokale “me zë të madh blues-rock ulëritës” dhe njihet për këndimin në stile që variojnë nga metalli e deri tek baladat e Leonard Cohen.
Muzikalisht, albumi “Portrait of a Lady” bazohet në surrealizmin e viteve ’80 dhe në valën e re franceze, duke huazuar sintet, ritmin, kitarën dhe ndikimet vokale nga vitet e hershme te Ministry, Billy Idol, Pat Benetar, Francoise Hardy dhe glam metalli i Los Angeles-it.
Duke u shprehë rreth frymëzimeve dhe ndikimeve mbi albumin, Shilpa Ray thekson: “Disa vite më parë ndesha në një ekspozitë të Nan Goldin me fotot e saj nga “Balada e varësisë seksuale” dhe kjo më tronditi deri në palcë. Më bëri të reflektoj mbi përvojat e mija me sulmet dhe abuzimet seksuale, si dhe shpërthimin mediatik që ka rezultuar nga lëvizja #metoo. “Portrait of a Lady” nuk është domosdoshmërisht një album politik, pasi është një album personal, duke shpërfaqë të mirën, të keqen dhe të shëmtuarën, si dhe fuqinë që dikush mund ta ketë në fund të fundit duke qenë një i mbijetuar”.
Mbrëmja do të fillojë me bendin nga Prishtina ZWADA. Liderja e bendit, Suada Abazi është artiste nga Prishtina e cila qysh në fillim të karrierës së saj tërhoqi vëmendjen me zërin dhe këngët e saj përmes një kombinimi të bukur të zhanreve që ajo krijon.
Zwada përbëhet nga Suada Abazi (vokal / gitarë), Lum Veseli (bateri), Orges Kurtaj (bas gitarë) dhe Andi Sadiku (gitarë).
Edhe pse ZWADA frymëzohet nga indie rock, pop, dhe muzika alternative, ata nuk preferojnë të kategorizohen, dhe qëllimi i tyre është të rrjedhin lirshëm në muzikë.
Hyrja në këtë koncert mund të paguhet sipas dëshirës tuaj për të kontribuar në jetën kulturore dhe në art.
Kjo mbrëmje mundësohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ayefleet.