Lumbardhi ka kënaqësinë të prezanton “Ngjyrose Lumbardhin”, libër për ngjyrosje i konceptuar dhe realizuar nga Rina Krasniqi në kuadër të programit QARK.
Duke u bazuar pjesërisht në materialin kërkimor të hulumtuesve Tevfik Rada dhe Bengi Muzbeg rreth historisë së Kino Lumbardhit, Rina ka imagjinuar dhe ri-interpretuar copëza nga e kaluara dhe e tashmja e kinemasë në formë të vizatimeve dhe tregimtheve përcjellëse.
Libri fton të rriturit dhe të vegjëlit që t’i ngjyrosin vizatimet, t’i vazhdojnë ato, të marrin shënime, e të ngjesin në të kujtime, si për shembull ndonjë biletë filmi apo një petale të ndonjë luleje, duke reflektuar kështu jo vetëm mbi rrugëtimin e deritanishëm të kinemasë, por edhe mbi atë të trashëgimisë kulturore të Prizrenit.
“Ngjyrose Lumbardhin” del në shitje me 25 shkurt dhe atë mund ta gjeni te Kino Lumbardhi në Prizren dhe Libraria Dukagjini në Prishtinë.
Realizimi i librit u përkrah nga Banka Raiffeisen në Kosovë, Fondi Ndërkombëtar i Ndihmës i Zyrës Federale të Punëve të Jashtme Gjermane, Ambasada Gjermane në Prishtinë, Instituti Goethe dhe partnerë të tjerë.