Robert Bisha & Filharmonia e Kosovës – MONADE
17.09.22
8:00 pm

Fondacioni Lumbardhi ka kënaqësinë të ju ftojë në premierën e veprës “Monade” të kompozuar nga kompozitori, pianisti dhe poli-instrumentalisti Robert Bisha, e ko-komisionuar nga Fondacioni Lumbardhi dhe Filharmonia e Kosovës.

Pas performancës në solo piano “Home Neverland” në vitin 2020, Bisha u rikthye në Prizren këtë pranverë për një rezidencë artistike, ku filloi procesin e hulumtimit dhe kompozimit, duke u njoftuar me historinë e Kino Lumbardhit dhe rrethanat e ndryshueshme përgjatë 70 viteve të saj, përmes studimeve dhe takimeve me pjesëtarë të komunitetit artistik.

Duke u nisur nga ky kërkim, ai komponoi “Monade”, një suitë sinfonike për pianoforte, orkestër, kor, solistë instrumente të folkut të rimodernuar dhe kinema, ku kinemaja konsiderohet si nje instrument i përfshirë në orkestër. Kino Lumbardhi merret si epiqendër për shqyrimin e tematikave kyqe që i përkasin historisë së qytetit të Prizrenit.

Kështu, nga perspektiva e kompozitorit, qyteti merret si vend shembullor për angazhimin e tij shoqëror përmes ndryshimeve që kanë nisë te Kino Lumbardhi.

Për premierën e “Monade” me 17 shtator Robert Bisha do të jetë i shoqëruar nga pjesëtarë të orkestrit dhe korit të Filarmonisë së Kosovës, solistët Elvis dhe Gjulian Bytyqi dhe Anastasia Skënderaj që e përkrahën Lumbardhin në këtë iniciativë dhe e mirëpritën suitën, me rast të hapjes së sezonit koncertal.

Ky koncert u mundësua me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Zyrës Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe Komunës së Prizrenit.