Konferencë mbi partneritetin publiko-civil për kulturë

Mes datave 13-14 dhjetor në Kino Jusuf Gervalla në Pejë u mbajt konferenca “Partneriteti Publiko-Civil për Reformën në Qeverisjen Kulturore në Kosovë”, organizuar nga Anibar, në kuadër të projektit “Hapësirat Kulturore të Kosovës”.


Projekti ka filluar në vitin 2019 si vazhdimësi e bashkëpunimeve të mëparshme mes Anibar, Fondacionit Lumbardhi dhe Platformës Kooperativa. Gjatë tre viteve të para, projekti u shëndrrua në një burim të vazhdueshëm të përkrahjes së rrjeteve dhe platformave bashkëpunuese, zhvillimit të programeve dhe kushteve për funksionimin e hapësirave kulturore në Kosovë, si dhe ndërtimin dhe shkëmbimin e njohurisë në çështjet përkatëse.


Konferenca bashkoi zyrtarët publik, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe akterët e kulturës së pavarur nga rajoni për të diskutuar rreth çështjeve të financimit publik të kulturës, ringjalljes dhe qeverisjes së hapësirave kulturore, si dhe principeve të bashkëveprimit. Përmes diskutimeve dhe punëtorive, pjesëmarrësit reflektuan mbi situatën aktuale dhe perspektivat e skenës së pavarur, përderisa prezantuan përvoja të ndryshme në zbatim të bashkëpunimit publiko-civil në politikat lokale dhe qendrore të kulturës, si mjet i krijimit të modeleve të reja institucionale dhe ngritjes së pjesëmarrjes qytetare.


“Hapësirat Kulturore të Kosovës” ështe projekt katër-vjeçar i implementuar nga Anibar në bashkëpunim me Fondacionin Lumbardhi, 7arte dhe Pogon, me mbështetje financiare nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë.