Kino Lumbardhi propozohet për mbrojtje të përhershme nga MKRS

Kino Lumbardhi është përfshirë në listën prej 54 monumenteve të trashëgimisë kulturore të propozuara nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për vendosje nën mbrojtje të përhershme. Pas vlerësimit nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore, pritet miratimi formal i kësaj liste në fillim të vitit 2022, kur edhe kremtojmë 70 vjetorin e themelimit të Kino Lumbardhit.

Vitin që po vjen, pas një procesi shtatëvjeçar të bashkëveprimit mes organizatave dhe komuniteteve kulturore, institucioneve qendrore dhe atyre lokale, pritet përcaktimi i modelit institucional për menaxhimin dhe zhvillimin afatgjatë të kinemasë dhe fillimi i restaurimit të saj me mbështetje të Bashkimit Europian. Ky vit do të përcillet nga një program i larmishëm dhe dinamik që do të shtrihet për gjatë vitit.

Fondacioni Lumbardhi i falemnderon institucionet dhe të gjithë partnerët, përkrahësit dhe individët e shumtë të përfshirë në të gjitha fazat e këtij procesi.