Lumbardhi dhe AKP vazhdojnë partneritetin për 2022

Fondacioni Lumbardhi ka kënaqësinë të konfirmon vazhdimin e marrëveshjes me Agjencinë Kosovare të Privatizimit për shfrytëzim të Kino Lumbardhit edhe për vitin 2022.

Ky partneritet i ndërtuar pas Iniciativës për Mbrojtje të Kino Lumbardhit dhe shpalljes së kinemasë aset nën mbrojtje të përkohshme, ka mundësuar përmirësimin e infrastrukturës së kinemasë dhe ruajtjes së vlerave të trashëgimisë.

Kjo mundësoi shfrytëzimin e kinemasë nga më shumë se 160 institucione dhe grupe joformale si dhe mbi 100,000 vizitorë, gjë që dëshmoi nevojën për rijetësim të plotë të kinemasë dhe kthim të saj në pronësi publike për një të ardhme të qëndrueshme dhe afatgjatë të këtij institucioni që ka qenë ndër qendrat kryesore shoqërore të Prizrenit për 70 vite.

Fondacioni Lumbardhi i shpreh mirënjohjen e thellë drejtuesve të AKP-së dhe zyrtarëve të saj përkatës në Prizren për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin gjatë këtyre tetë viteve të angazhimit për rikthim të plotë të kinemasë. Me këtë rast, shfrytëzojmë momentin t’i adresohemi Komunës së Prizrenit, Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Zyrës së Kryeministrit për përfundim të procesit të pronës dhe bashkëpunim me hisedarët nga shoqëria civile për një përfundim kremtues këtij procesi të stërzgjatur.