Horizontet e kujtesës urbane

Horizontet e kujtesës urbane është një projekt ndërdisiplinor i realizuar përmes bashkëpunimit ndërmjet Fondacionit Lumbardhi dhe Iniciativës për Histori Gojore të Kosovës. Projekti përbëhet nga hulumtimi, hartëzimi, arkivimi dhe krijimi i ekspozitës me fokus në historinë sociale, kulturore dhe ekonomike të Prizrenit, në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të. Nëpërmjet këtij projekti, dhjetë pjesëmarrës u pajisën me njohuri për ta dokumentuar të kaluarën dhe për të punuar në mënyrë interaktive me të dhënat e mbledhura që të ndërtohet një arkiv dixhital, ekspozitë online dhe offline, një botim dhe më e rëndësishmja, që të prodhohet njohuri për komunitetet e tyre dhe për t’u angazhuar në një proces mësimor për një periudhë kritike që ka qenë formuese për identitetin kulturor dhe urban të Prizrenit dhe banorëve të tij.