Malik Halçe: Metamorphosis
21.07.22
9:00 pm

Lumbardhi ka kënaqësinë të mirëpresë solo recitalin “Metamorphosis” nga pianisti Malik Halçe.

Solo recitali përbëhet nga pjesë të kompozitorëve të ndryshëm nga periudha dhe stile me kontraste drastike. Koncerti do të fillojë me pjesët më të rëndësishme dhe më sfiduese në repertorin standard të pianos të quajtur “Katër balada” (1831-1842) nga një prej kompozitorëve më të veçantë të pianos, Frédéric Chopin. Programi do të pasohet nga një sonatë për solo piano nga Béla Bartók (1926), “Puthja e fëmijës-Jezus” (Le baiser de l’Enfant-Jesus) nga “Njëzet vështrimet e fëmijës-Jezus” (Vingt Regards sur l’Enfant-Jesus) (1942) të Olivier Messiaen, dhe një vepër monumentale e quajtur Dante Sonata (Après une lecture du Dante: Fantasia quasi Sonata) (1849) nga kompozitori Franz Liszt.

Malik Halçe është nga Prizreni. Aftësimi i tij në piano nisi nga Shkolla e Muzikës Lorenc Antoni dhe vazhdoi në Konservatorin Shtetëror të Universitetit të Arteve të Bukura Mimar Sinan në Stamboll të Turqisë, për të vijuar me Akademinë Norvegjeze të Muzikës në Oslo, Norvegji. Aktualisht, ai studion në Akademinë e Muzikës Franz Liszt me Prof. Dráfi Kálmán në Budapest, Hungari.

Ai ka marrë pjesë në masterklasa të shumë pianistëve të njohur si Alicia Paleta Bugaj, Nikolay Demidenko, Denis Kozhukhin, Christian Wilm Müller, Ragna Schirmer, Johan Schmidt.

Në vitin 2012, Maliku u nderua me çmimin e dytë në konkursin e talentëve të rinjë, bashkë- organizuar nga Sedat Gürel – Güzin Gürel Arts Camp; Science Foundation dhe Orkestra Simfonike Shtetërore e Stambollit, ku performoi para audicionit në shoqërimin e Orkestrës Simfonike Shtetërore të Stambollit. Në vitin 2014 është vlerësuar edhe me çmimin e parë në konkursin ndërkombëtar të pianos ‘Pianisti i Ri 2014’ në Kosovë. Më pas Maliku performoi me Orkestrën Filharmonike të Kosovës në vitin 2015.

Ai u ftua në Festivalin Ndërkombëtar të Pianos në Miami në vitin 2017 dhe 2018. Gjatë qëndrimit të tij në Miami, Maliku dha koncerte të shumta dhe pati mundësinë të punojë me pianistë të njohur botërorë, duke përfshirë Jorge Luis Prats, Kemal Gekic, Claudio Martinez-Mehner, Francesco Libetta dhe Walter Ponce. Në vitin 2019 Maliku ka dhënë koncerte në Festivalin e 10-të Ndërkombëtar të Pianos Chopin dhe Autostrada Biennale në Kosovë.

Ky koncert u mundësua me mbështetjen e Komunës së Prizrenit, Komunës së Prishtinës, Cinemarine dhe KTV.