Fondacioni Lumbardhi u krijua në prill të vitit 2015 nga përfaqësuesit e DokuFest, EC Ma Ndryshe dhe Rrjeti i Organizatave Kulturore në Prizren, për t’i plotësuar kërkesat e Nismës për Mbrojtjen e Kinemasë Lumbardhi.
Misioni i tij themelues ishte ringjallja e kinemasë si një institucion i pavarur kulturor duke i ruajtur vlerat e tij të trashëgimisë, duke zhvilluar programe kërkimore, arsimore dhe kulturore vjetore, duke nxitur prodhimin artistik, duke i ngritur kapacitetet institucionale dhe duke rritur pjesëmarrjen qytetare në zhvillimin lokal dhe vendimmarrjen publike në fushën e kulturës.
Duke praktikuar lehtësimin e pjesëmarrjes së aktorëve të ndryshëm, duke mobilizuar njohuritë dhe burimet dhe duke ruajtur një qasje proaktive, Lumbardhi u bë pjesë e një ekologjie që demonstroi se si proceset e krijimit nga poshtë-lartë do t’i adresojnë sfidat lokale dhe do të ofrojnë mënyra të reja të punës, mësimit dhe ndërtimit së bashku.
Përmes shfaqjes së filmave, koncerteve, performancave, ekspozitave, ligjëratave dhe formave të ndryshme të mbledhjes së komunitetit, përgjatë administimit nga Fondacionit Lumbardhi, ish -kinemaja u bë një qendër e gjallë e arteve dhe komunitetit në Prizren me mbi 700 ngjarje të prodhuara nga organizata dhe më shumë se 150 përdorues të tjerë, duke u përcaktuar si një nga vendet më të frekuentuara të trashëgimisë kulturore në Kosovë, me mbi 100,000 vizitorë. Ringjallja e Kinemasë Lumbardhi është një proces i vazhdueshëm, që pritet të finalizohet me përfundimin e projektit të restaurimit dhe ripërdorimit adaptiv të planifikuar për të filluar në vitin 2022.
Aktivitetet e Fondacionit Lumbardhi janë të shpërndara në Programet Publike, Kërkimet, Arkivat dhe Publikimet, si dhe qendrën e saj të ardhshme për Politikë Kulturore.
Lumbardhi është angazhuar për të krijuar kushte të qëndrueshme për kulturën si një mjet kritik për një sferë publike demokratike. Përmes programeve të tij, ai synon të krijojë hapësira qytetare për kërkime, eksperimente dhe mësim kolektiv.