Nisë digjitalizimi i kolekcionit audio-vizuel të Nafis Lokvicës

Nafis Lokvica për rreth 50 vite, me kamerat e tij, ka dokumentuar parreshtur ritet lokale, jetën kulturore, trashëgiminë në shembje, momente kyqe historike dhe skena prej përditshmërisë së Prizrenit, ndërkohë që ka mbledhur edhe fotografi dhe materiale arkivore nga burime të ndryshme. Kolekcioni i tij përfshinë mijëra fotografi, negativë, filma, video dhe disqe të cilat ai i ka ndarë me Fondacionin Lumbardhi.

Gjatë muajve në vijim, në bashkëpunim me z. Lokvica, ky kolekcion do të digjitalizohet dhe katalogohet në mbikqyrje dhe këshillim të Bengi Muzbeg dhe Fjolla Rabi nga ekipi i arkivimit, në kuadër të projektit “Arkivi Publik”. Gjatë këtij bashkëpunimi, pjesë të kolekcionit do të hapen për publikun në formë të teksteve, albumeve, intervistave e prezantimeve të ndryshme, ndërkohë që në afat të gjatë, ato do ta ndërtojnë arkivin e ardhshëm publik digjital.

“Arkivi Publik” është nisur si projekt me përkrahjen e Fondit Ndërkombëtar të Ndihmës së Zyrës Federale të Punëve të Jashtme Gjermane, Instituti Goethe dhe partnerë të tjerë.

#LumbardhiNëTranzit #Faza2

...
Donacion prej 2,500 librash nga Shkëlzen Maliqi

Fondacioni Lumbardhi zgjeron kolekcionin me donacion prej mbi 2,500 librash nga Shkëlzen Maliqi.

Filozofi, kritiku i artit, analisti politik dhe një ndër kontribuesit kryesor në zhvillimin e skenës së artit dhe kulturës së pavarur në 30 vitet e fundit në Kosovë, z. Shkëlzen Maliqi, nderoi Fondacionin Lumbardhi duke ia besuar mbi 2,500 tituj nga libraria e tij private, të grumbulluara në një periudhë prej më shumë se gjysmë shekulli, duke shënuar dhurimin e parë të këtij vëllimi për bibliotekën e Fondacionit Lumbardhi.

Ky kolekcion përfshinë një gamë të gjerë titujsh në gjuhë të ndryshme, që reflektojnë kuriozitetin e gjerë intelektual dhe profesional të z. Maliqi, duke përfshirë botime prej historisë së artit e bizantologjisë, shkenca sociale, politikë, letërsi, e botime të ndryshme mbi rajonin dhe Kosovën. Katalogimi dhe organizimi i librarisë, si dhe i arkivit personal të z. Maliqi do të realizohet në kuadër të projektit “Arkivi Publik” i cili nxitë krijimin e një biblioteke, arkivi dhe kolekcioni digjital të fotografive dhe dokumenteve në disa fusha që përkojnë me kërkimet e Lumbardhit dhe i hapen publikut në disa faza gjatë vitit 2022.

Projekti “Arkivi Publik” po ashtu do ta përkrahë ndërveprimin e hulumtuesve të Lumbardhit me komunitete kulturore, shkencore dhe me qytetarë të përkushtuar të të gjitha gjeneratave, për të zhvilluar një fond të përbashkët publik prej asaj që është në pronësi private. Kjo dije e përbashkët do të ndahet me hulumtuesit dhe të interesuarit nëpër hapësirat digjitale dhe ato të shfrytëzuara nga Fondacioni Lumbardhi dhe partnerët e tij, në formë të burimit primar si dhe programeve, bisedave e botimeve që dalin prej tyre dhe dokumentojnë aspekte të historisë moderne të Prizrenit dhe rajonit për publikun.

Të gjithë të interesuarit për të ndarë materiale, arkiva private apo libra, mund t’i drejtohen ekipit të Fondacionit Lumbardhi në info@lumbardhi.org.

Falenderojmë partnerët tanë PRESJE për akomodim të përkohshëm të koleksionit.

“Arkivi Publik” është nisur si projekt me përkrahjen e Fondit Ndërkombëtar të Ndihmës së Zyrës Federale të Punëve të Jashtme Gjermane, Instituti Goethe dhe partnerë të tjerë.

#LumbardhiNëTranzit #Faza2

...
‘Kush janë Ferit e Nakije Bajrami?’ – një ekspozitë

Ekspozita e bazuar në hulumtimin ‘Formimi i Kombit’, me titull 'Kush janë Ferit dhe Nakiye Bayram?' nga Sezgin Boynik dhe Tevfik Rada, pjesë e edicionit të tretë të Autostrada Biennale është mbyllur për shkak të masave aktuale për parandalimit të pandemisë.

Nëndërkohë, ju mund të njoftoheni më shumë me hulumtimin dhe tematikat e ekspozitës duke i lexuar shkrimet e botuara te BLLOGU në kategorinë Formimi i Kombit: https://bllogu.lumbardhi.org/.../14/kush-eshte-ferit-bajram/

Formimi i Kombit u komisionua nga Fondacioni Lumbardhi dhe u realizua me mbështetjen e zyrës së Forumit ZFD në Prishtinë.

...
Kinofigurimi: Një arkiv i hapur

Fondacioni Lumbardhi ka kënaqësinë ta prezantojë Kinofigurimi: një arkiv i hapur, ekspozitë mbi historinë e Kino Lumbardhit dhe raportin e kinemasë me modernitetin në Prizren, bazuar në studimin arkivor të Tevfik Rada dhe Bengi Muzbeg.

Kinofigurimi: Nje arkiv i hapur është ekspozitë që përmban fotografi, objekte, dokumente e artikuj të integruar në ndërtesë, nga zyret në sallë, e nga lozhat deri në dhomë të projeksionit. Pjesët dhe ‘mbetjet’ arkivore të prezantuara nuk e krijojnë një tregim të plotë dhe nuk janë të bazuara në ndonjë rend kronologjik, por janë të pakompletuara dhe të hapura për interpretime. Ato me shumë gjasojnë në një kompozicion kinematik dhe jo-linear që përmes fragmenteve theksojnë aspekte të kësaj historie te ndërlikuar.

Kinofigurimi: Një arkiv i hapur do të hapet me 9 gusht nga ora 18:00, te Kino Lumbardhi dhe do të qëndrojë hapur deri me 27 shtator, 2021. Ekspozita do të shoqërohet me ngjarje, botime dhe biseda që ndërlidhen me studimin dhe historinë shumështresore të Kino Lumbardhit.

Kinofigurimi është realizuar në partneritet me Forum ZFD, zyra në Prishtinë, dhe është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Fondacioni për Iniciativa të Artit (FfAI), Banka Raiffeisen në Kosovë dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit.

...