Photo Talks – Ligjëratë nga Burim Myftiu

Të enjten prej orës 19:00 fillojmë me sesionin e parë të serisë Photo Talks. Burim Myfitu do të prezantojë spektrin e gjerë të punës së tij nga fotografitë e përditshme deri në projektet afatgjate që i ka zhvilluar në tri dekadat e fundit. Pas prezantimit, Myftiu do të angazhohet në bisedë me kuratorin e programit Ferdi Limani, si dhe në bashkëbisedim me publikun.

Burim Myftiu (MA) është artist Shqiptaro – Amerikan i lindur në vitin 1961 në Prizren. Ai është profesor i fotografisë në Universitetin AAB, kurator arti dhe fotograf. Është anëtar i Associacionit të Artistëve Vizual të Kosovës sikurse edhe anëtar i Këshillit të Arteve në New Haven, SHBA.

...
Photo Talks – një seri e ligjëratave mbi fotografinë në Kino Lumbardhi

Në Kino Lumbardhi fillon seria Photo Talks, e cila përfshinë prezantime dhe biseda të praktikave fotografike përgjatë muajit nëntor.


Seria e prezantimeve realizohet krahas fokusit të Fondacionit Lumbardhi në digjitalizimin dhe interpretimin e arkivave fotografike, si dhe studimin e imazhi në praktika artistike dhe dokumentare në Kosovë dhe rajon.


Në serinë e parë, fotografit dhe kuratorit Ferdi Limanit, do ti bashkangjiten fotografët Burim Myftiu, Blerta Hoçia dhe Majlinda Hoxha, të cilët do ta prezantojnë punën e tyre gjatë dhe të angazhohen në biseda me publikun.
Programi do të zhvillohet prej 2 deri më deri me 23 nëntor, çdo të enjte prej orës 19:00.

...
Lansimi i “Arnautistan Noir” nga Artrit Bytyçi dhe Ardi Shishko

Ju mirëpresim në lansimin e "Arnautistan Noir", librit më të fundit komik nga Fondacioni Lumbardhi. Zhytuni në një univers të historisë alternative ku Prizreni është kryeqyteti i Arnautistanit dhe vendi ku Perandoria dikur në rënie u shndërrua në një Konfederatë. Shkruar nga Artrit Bytyçi dhe ilustruar nga Ardi Shishko, ky libër komik përmban një përvojë gjithëpërfshirëse multimediale me një kolonë zanore të kompozuar nga Liburn Jupolli.

Bëhuni gati për të përjetuar një sërë temash të mprehta dhe provokuese, nga atmosfera e grafiteve nëpër qytet, kafiqi i fshehtë pranë një xhamie, atmosfera në klubin e natës dhe deri te skena e vrasjes. Me ilustrime nga Ardi Shishko dhe një kolonë zanore nga Liburn Jupolli, "Arnautistan Noir" është një koncept unik artistik që nuk do të doni ta humbisni.

“Arnautistan Noir” botohet nën patronazhin e KSci-Fi të StoryLab, i cili synon të promovojë fantashkencën dhe fantazinë nga Kosova përmes organizimit të komunitetit, mbajtjes së punëtorive të shkrimit krijues, mbështetjes së botimeve dhe duke shërbyer si vulë e miratimit dhe rekomandimit për veprat e reja.

Ky projekt u krijua si pjesë e Programit QARK të Fondacionit Lumbardhi. Është mundësuar falë mbështetjes bujare nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Fondit Ndërkombëtar të Ndihmës së Ministrisë së Jashtme Federale Gjermane, Goethe-Institut dhe partnerë të tjerë.

Biografitë e autorëve:

Artrit Bytyçi

Artrit Bytyçi ka magjistraturë në Shkrime Kreative nga The New School në New York City. Prapavija e njohurive të tij në shkenca biologjike e influencon se si e sheh botën. Është themelues i StoryLab, iniciativë ndërdisiplinore për art, letërsi, teknologji, dizajn, dhe arsim. Është autor i librit të artit “Arbitri” (2021) inspiruar nga zhanri cyberpunk. Libri i tij i ardhshëm, “Atlas of Fantastical Realism” (2023), është me tregime në anglisht që shqyrtojnë proceset e shtet-formimit përmes thjerrës fantastike, absurde, dhe komike.

Ardi Shishko

Ardi Shishko është një artist dhe profesionist krijues i shumëanshëm, me bazë në Prizren. Ai është duke përfunduar studimet për Art dhe Media Digjitale në UBT dhe punon si videograf, fotograf, montazher dhe dizajner. Si një profesionist i pavarur, ai krijon murale dhe ilustrime vibrante të frymëzuara nga arti pop, të cilat mund të shihen në qytete të ndryshme anembanë Kosovës

...
Kinografia: Lumbardhi lanson identitetin e ri vizual

Fondacioni Lumbardhi ka kënaqësinë ta prezantojë identitetin pamor tranzitor “Kinografia” të  zhvillluar nga KHORA Office.

Frymëzuar nga elementet e pakapshme të trashëgimisë të zbuluara në Kinemanë Lumbardhi, Kinografia u zhvillua përgjatë kalimit gradual të Fondacionit Lumbardhi në Fazën II. Fjalori i saj pamor u ndërtua përmes procesit eksperimental të riparimit dhe rimendimit të kinemasë drejt një institucioni dinamik dhe bashkëkohor.

Dizajneri dhe drejtori kreativ, Ali Cindoruk nga KHORA shpjegon proceset e mendimit që formësojnë bazën e zhvillimit të Kinografisë:

“Ne jemi bashkuar në përpjekjet për ta shpëtuar Kinemanë Lumbardhi nga privatizimi apo nga rrënimi në vitin 2016. Që atëherë kemi qenë pjesëmarrës aktivë në formësimin e Fondacionit Lumbardhi. Qartësimi, destilimi dhe kristalizimi i ideve dhe mundësive që ndryshojnë dhe transformohen vazhdimisht në kohë ka qenë pjesë e kësaj pune. Përmes këtij procesi kemi krijuar shprehjet kyçe, përvojat dhe ndërveprimet hapësinore, pamore, materiale, dixhitale, narrative dhe të natyrës koreografike për Lumbardhin. 

Identiteti i Lumbardhit morri formë duke e imagjinuar atë si një institucion nga prizmi i dëshirave për të ardhmen, kapacitetet aktuale dhe lidhjet me trashëgiminë nëpërmjet banimit të tij në ndërtesën e Kino Lumbardhit.

Një përballje e rastësishme gjatë një studimi hapësinor na çoi në zbulimin e një sërë elementesh pamore të cilat ndërtesa i trashëgoi në formën e gravimit të drurit në dyert e një dollapi.

Këto elemente pamore, përkatësisht pesë forma abstrakte gjeometrike, do të bëheshin përbërësit e parë dhe themelues të “Kinografisë” - sistemit të identitetit të Lumbardhit që bazohet në konceptet e shumëfishimit dhe evolucionit dhe jo në një dizajn të njëtrajtshëm të përqendruar rreth një logoje. Ne i quajtëm këto forma 'Kinogramë' pasi ato e përbëjnë gramatikën themeluese të alfabetit pamor të Lumbardhit, një vazhdimësi shprehjesh të shumëfishta dhe të shtresuara që do të evoluojnë dhe zgjerohen në mënyrë dinamike në kohë, sikur vetë institucioni.

Lumbardhi i shprehë këto shumëfishime përmes disa pikave programore të dallueshme, të cilat ne i kemi gjeneruar si kinograme për QARK-un, Kinofigurimin, BLLOGU-n si dhe kampanja të ndryshme, që shpalosen me veti dhe përkohësi të ndryshme, por së bashku, formojnë një konglomerat që i përgjigjet vullnetit të vazhdueshëm prapa Lumbardhit”.

...
70 vjetori i Kino Lumbardhit

Para shtatë dekadash, Lumbardhi i hapi dyert për ta ndërtuar kulturën e filmit në Prizren, duke u shndërruar në shtëpi të shumë komuniteteve që janë formësuar para ekraneve dhe në hapësirat e kinemasë. Ju ftojmë të na bashkangjiteni e të na përcillni gjatë këtij viti simbolik me kërkime, programe, botime e vizione të dala nga 70 vite histori komplekse, e shtatë vite përkushtim për rimendim të institucionit.

Ekipi dhe bordi i Fondacionit Lumbardhi u mbetet falenderues gjeneratave që e formësuan këtë monument të kujtesës kolektive, si dhe bashkëpunëtorëve, partnerëve dhe të gjithë atyre që nxitën iniciativën dhe mbështetën procesin për rikthimin e plotë të Kino Lumbardhit.

#IniciativapërKinoLumbardhin#FazaII#LXX-

...
Programi i filmit LXX


Me rastin e 70 vjetorit të themelimit të kinemasë, Fondacioni Lumbardhi prezanton programin e filmit LXX në formatin e Klubit të Filmit, të mërkurave dhe të shtunave nga ora 19:00, te Kino Holli.

Programi është zhvilluar në vazhdimësi të kërkimit arkivor të projektit Kinofigurimi, bazuar në listat e filmave të shfaqur në periudha të ndryshme të historisë së kinemasë.

Filmat janë përzgjedhur me kujdes nga grupi kuratorial i përbërë nga zëvendësdrejtori për kërkime dhe programe në Fondacionin Lumbardhi, Bengi Muzbeg, regjisorja, kuratorja dhe studiuesja Kumjana Novakova dhe drejtori artistik i DokuFest, Veton Nurkollari.

Deklaratë kuratoriale

"Nga fillimet modeste të viteve ‘50, përmes repertorit sy-qelës të viteve ‘60, deri tek mundësitë e shkëlqyeshme të viteve ‘70 dhe ‘80 e tutje, deri te rënia poaq e palavdishme gjatë viteve ’90, shkëlqimi i plotë i kinemasë botërore gjindej në këtë kënd të vogël botëror dhe në kinemanë ikonike Lumbardhi në Prizren, që këtë vit e feston 70 vjetorin e ditëlindjes.

Për ta shënuar këtë, një ekip i vogël kuratorial i përbërë zv. drejtori për kërkim dhe program i Fondacionit Lumbardhi, Bengi Muzbeg, kineastja, kuratorja e filmit dhe studiuesja Kumjana Novakova si dhe drejtori artistik i Dokufest, Veton Nurkollari kërkuan nëpër arkivat e kinemasë për të dalë me një përzgjedhje prej 70 filmash, dhe me synimin për të paraqitur para publikut një listë të larmishme dhe gjithëpërfshirëse të asaj që Amos Vogel argumenton se është, ‘potencialisht forma më e fuqishme e artit të shekullit.’

Në listë, do ta gjeni një përzgjedhje mbresëlënëse të filmave me vlerë shoqërore, kulturore dhe artistike, duke përfshirë filma të hershëm të luftës sovjetike, melodrama amerikane, filma nga neorealizmi italian dhe Vala e Re Franceze, filma amerikanë dhe spaghetti western, filma propagandistikë, si dhe një listë mbresëlënëse të pothuajse çdo filmi jugosllav të prodhuar në atë kohë, duke përfshirë këtu epikat e famshme të luftës. Mes filmash të tjerë, shpesh befasishëm, përfshihen edhe shembujt e pornografisë së hershme erotike dhe të butë, filmat horror dhe zhanre të tjera kinemaje që janë shfaqur në këto 70 vitet e fundit. Kemi kënaqësinë ta prezantojmë këtë koleksion, që besojmë se qëndron i bashkuar në një rrëfim dhe është një fotografi e kohëve të shkuara, me shpresën se publiku do ta shijojë atë po aq sa e shijuam ne procesin e përgatitjes së tij."


...
Shilpa Ray + Zwada

Lumbardhi prezanton: PORTRAIT OF A LADY nga Shilpa Ray

Shilpa Ray (USA) - Portrait of a Lady
Akti hapës: Zwada (RKS)
E dielë, 2 tetor - 20:00
Hyrja: Paguaj sa të don
Kino Lumbardhi

Me 2 tetor 2022, kantautorja amerikane nga Bruklini i Nju Jorkut, Shilpa Ray, e njohur për tingullin feminist eksperimental të punk-ut DIY, do të zbarkojë për herë të dytë te Lumbardhi gjatë turneut "Portrait of a Lady" (Portreti i një gruaje), paraprirë nga bendi lokal Zwada. Ky koncert njëherësh shënon edhe përmbylljen e sezonit të koncerteve te Lumbardhi.

Muzika e Shilpa Ray shpesh është krahasuar me Blondie, The Cramps dhe Screamin' Jay Hawkins ndërsa këndimi i saj është krahasuar me stilin e Patti Smith, Nick Cave dhe Ella Fitzgerald. Ray është e njohur për kombinimin e harmoniumit indian me një qasje vokale "me zë të madh blues-rock ulëritës" dhe njihet për këndimin në stile që variojnë nga metalli e deri tek baladat e Leonard Cohen.

Muzikalisht, albumi “Portrait of a Lady” bazohet në surrealizmin e viteve '80 dhe në valën e re franceze, duke huazuar sintet, ritmin, kitarën dhe ndikimet vokale nga vitet e hershme te Ministry, Billy Idol, Pat Benetar, Francoise Hardy dhe glam metalli i Los Angeles-it.

Duke u shprehë rreth frymëzimeve dhe ndikimeve mbi albumin, Shilpa Ray thekson: “Disa vite më parë ndesha në një ekspozitë të Nan Goldin me fotot e saj nga “Balada e varësisë seksuale” dhe kjo më tronditi deri në palcë. Më bëri të reflektoj mbi përvojat e mija me sulmet dhe abuzimet seksuale, si dhe shpërthimin mediatik që ka rezultuar nga lëvizja #metoo. “Portrait of a Lady” nuk është domosdoshmërisht një album politik, pasi është një album personal, duke shpërfaqë të mirën, të keqen dhe të shëmtuarën, si dhe fuqinë që dikush mund ta ketë në fund të fundit duke qenë një i mbijetuar”.

Mbrëmja do të fillojë me bendin nga Prishtina ZWADA. Liderja e bendit, Suada Abazi është artiste nga Prishtina e cila qysh në fillim të karrierës së saj tërhoqi vëmendjen me zërin dhe këngët e saj përmes një kombinimi të bukur të zhanreve që ajo krijon.

Zwada përbëhet nga Suada Abazi (vokal / gitarë), Lum Veseli (bateri), Orges Kurtaj (bas gitarë) dhe Andi Sadiku (gitarë).

Edhe pse ZWADA frymëzohet nga indie rock, pop, dhe muzika alternative, ata nuk preferojnë të kategorizohen, dhe qëllimi i tyre është të rrjedhin lirshëm në muzikë.

Hyrja në këtë koncert mund të paguhet sipas dëshirës tuaj për të kontribuar në jetën kulturore dhe në art.

Kjo mbrëmje mundësohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ayefleet.

...
The Tapi Project & Ansambli Eksperimental i Lumbardhit

AIKYA: The Tapi Project & Ansambli Eksperimental i Lumbardhit
E shtunë, 3 shtator - 21:00
Kino Bahçe
Hyrja: 2 euro

Lumbardhi ka kënaqësinë ta mirëpresë bendin indian The Tapi Project që bashkëpunon me Ansamblin Eksperimental të Lumbardhit, të shtunën me 3 shtator, ku dyert do të hapen në orën 21:00 dhe performanca fillon në orën 22:00 në Kino Bahçe!

Muzika dhe poezia e Tapi Project vijnë përmes kulturave dhe nënkulturave të Indisë moderne dhe përvojave të botës moderne gjithnjë në ndryshim. Performancat e tyre të drejtpërdrejta janë një amallgamë ku shkrihen modernja me të lashtën dhe traditat e rrënjosura në realitetin gjithnjë në ndryshim të së tashmes.

Për më tepër, muzika e Tapit është e endur si pëlhurë, e rritur në mënyrë organike nga poezitë e Jogive. Nëpërmjet zërit të fuqishëm dhe sensual të Swatit, teksti gjallërohet, duke na gëlltitur në një oqean emocionesh përmes këndimeve mbi historitë për lumenjtë, jetën e brishtë, vlerat e humbura dhe në thelb, kërkimin universal të vetvetes.

I shoqëruar nga Ansambli Eksperimental i Lumbardhit, i inicuar nga Ilir Bajri, e i përbërë nga Adorel Haxhiaj, Arian Randobrava dhe Pleurat Doli, Tapi rikthehet në Prizren dhe mëton të ndërthurë ndikime të ndryshme kulturore, muzikore dhe dikotomike të jetës, nga India dhe bota e gjerë e deri te ngjyrat muzikore të Kosovës.

Së bashku, kjo bisedë zanore krijon një performancë të titulluar AIKYA, që do të thotë njëshmëri.

Performanca do të paraprihet nga një eksperiencë kulinare Kosovaro-Indiane dhe muzikë që na përgatitë për këtë rrugëtim të veçantë me fillim nga ora 20:00.

Kjo natë mundësohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në kuadër të programit LXX.

Ky koncert mundësohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

...
Robert Bisha komponon “Monade” për 70-vjetorin e Kino Lumbardhit

Fondacioni Lumbardhi dhe Filharmonia e Kosovës kanë kënaqësinë të ju njoftojnë mbi premierën e veprës "Monade" të kompozuar nga pianisti dhe multi-instrumentalisti Robert Bisha e cilat do të mbahet me 17 shtator tek Kino Lumbardhi në Prizren.

Pas performancës në solo piano "Home Neverland" në vitin 2020, Bisha u rikthye në Prizren këtë pranverë për një rezidencë artistike ku filloi procesin e hulumtimit dhe kompozimit, duke u njoftuar me historinë e Kino Lumbardhit dhe rrethanave të ndryshueshme përgjatë 70 viteve të saj, përmes studimeve dhe takimeve me pjesëtarë të komunitetit artistik.

Duke u nisur nga ky kërkim, ai komponoi "Monade", një suitë për pianoforte, orkestër, kor, elektronikë kinematografike, ku kinemaja konsiderohet si nje instrument i përfshirë në orkestër, solistë vokalë dhe instrumente të folkut të rimodernuar që shqyrtojnë tematika kyqe që i përkasin qytetit të Prizrenit.

Për premierën e “Monade” me 17 shtator Robert Bisha do të jetë i shoqëruar nga pjesëtarë të orkestrit dhe korit të Filarmonisë së Kosovës, me rast të hapjes së sezonit koncertal të kësaj të fundit.

Detajet më të hollësishme për veprën dhe ngjarjen do të shpalosen ditëve në vijim.

...
Lumbardhi x DokuFest: REBELIM I PËRDITSHËM

Lumbardhi x DokuFest: REBELIM I PËRDITSHËM

E shtunë, 6 GUSHT 2022 - 15:00

Përballë krizës klimatike, një sistem të harxhuar të rrjeteve ekologjike, lidhjeve të prishura të habitatit dhe larminë e humbur kulturore dhe gjuhësore në një planet të dërmuar nga mizoritë njerëzore, ne jemi në gjendje të mbijetesës. Sjellja e drejtësisë, bollshmërisë, miqësisë dhe gjallërisë për të gjithë do të jetë shqetësimi kryesor për dekadat në vijim, si një sprovë e jashtëzakonshme e historisë së njerëzimit. Kjo kërkon një kulturë dhe praktikë të rezistencës në përditshmëri.

Moderatore: Defne Koryürek
Panelistët: Ares Shporta, Levon Bagış, Jeton Jagxhiu dhe Sevil Baştürk

...