Nuit Blanche Prizren (Nata e Bardhë)

Aleanca Franceze prezanton edicionin e parë të Natës së Bardhë (Nuit Blanche) në Prizren, e cila na fton të jetojmë qytetin në një format unik në kohëzgjatjen e një nate. 

Nata e Bardhë është një kremtim i përvitshëm i artit dhe i eksplorimit të lirë të imagjinatës që shtrihet prej perëndimit deri në agim. Tema e këtij edicioni të parë të Nuit Blanche në Prizren është ‘Qyteti i hapur.’

Qytet i hapur është qyteti i të gjithëve, qyteti i së tashmes që nuk e ka harruar veten kur projektohet në të ardhmen.

Në kohë lufte kur një qytet shpallet i ‘hapur’ kjo do të thotë se po dorëzohet me kusht që të mbrohen civilët dhe trashëgimia kulturore e historike e qytetit, e cila në të kundërt do të vuante pasojat shkatërruese të një beteje të kotë.

Çfarë po u ndodh sot qyteteve është e ngjashme me një situatë alarmuese, ku pak nga pak po zhduken identitetet e tyre për t’u zëvendësuar me të reja. Monumentet e kulturës po shëndërohen në parkingje, në rastin më të mirë, kulla apo monumente të tjera që mundohen ta manipulojnë historinë.

Le ta rimendojmë konceptin e qytetit të hapur në kohë paqeje dhe të kemi kujdes për memorien dhe mënyrën se si shtrihet në hapesirën urbane duke e instaluar një dialog midis së resë dhe të vjetrës.Vendosja e një dialogu me të shkuarën e qytetit nis duke hapur rrugën kryesore për këmbësorët, e pas saj edhe rrugë të tjera të qendrës historike.

Në kohëzgjatjen e një nate, rrugët ku përndryshe qarkullojnë automjetet, do të pushtohen nga njerëzit dhe pazari i produkteve vendore ku përveç degustimit do të mund të marrim edhe njohuri nga vetë prodhuesit e artizanet.

Eventet artistike të cilat e reflektojnë temën dhe qytetin do të krijojnë një rrugëtim përmes një programi ku përfshihen instalacione me dritë dhe intervenime artistike, performanca, pjesë muzikore dhe eksperimentale si edhe shfaqje të veprave të video artit.

Nata e Bardhë organizohet nga Aleanca Franceze mes partneritetit të Komunës së Prizrenit dhe Komunës së Parisit, mbështetur nga Instituti Francez, Bashkimi Europian, Ambasada Franceze dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës.« Nuit Blanche është një format i nisur nga qyteti i Parisit.