Lumbardhi prezanton: PORTRAIT OF A LADY nga Shilpa Ray
Shilpa Ray (USA) - Portrait of a Lady
Akti hapës: Zwada (RKS)
E dielë, 2 tetor - 20:00
Hyrja: Paguaj sa të don
Kino Lumbardhi
Me 2 tetor 2022, kantautorja amerikane nga Bruklini i Nju Jorkut, Shilpa Ray, e njohur për tingullin feminist eksperimental të punk-ut DIY, do të zbarkojë për herë të dytë te Lumbardhi gjatë turneut "Portrait of a Lady" (Portreti i një gruaje), paraprirë nga bendi lokal Zwada. Ky koncert njëherësh shënon edhe përmbylljen e sezonit të koncerteve te Lumbardhi.
Muzika e Shilpa Ray shpesh është krahasuar me Blondie, The Cramps dhe Screamin' Jay Hawkins ndërsa këndimi i saj është krahasuar me stilin e Patti Smith, Nick Cave dhe Ella Fitzgerald. Ray është e njohur për kombinimin e harmoniumit indian me një qasje vokale "me zë të madh blues-rock ulëritës" dhe njihet për këndimin në stile që variojnë nga metalli e deri tek baladat e Leonard Cohen.
Muzikalisht, albumi “Portrait of a Lady” bazohet në surrealizmin e viteve '80 dhe në valën e re franceze, duke huazuar sintet, ritmin, kitarën dhe ndikimet vokale nga vitet e hershme te Ministry, Billy Idol, Pat Benetar, Francoise Hardy dhe glam metalli i Los Angeles-it.
Duke u shprehë rreth frymëzimeve dhe ndikimeve mbi albumin, Shilpa Ray thekson: “Disa vite më parë ndesha në një ekspozitë të Nan Goldin me fotot e saj nga “Balada e varësisë seksuale” dhe kjo më tronditi deri në palcë. Më bëri të reflektoj mbi përvojat e mija me sulmet dhe abuzimet seksuale, si dhe shpërthimin mediatik që ka rezultuar nga lëvizja #metoo. “Portrait of a Lady” nuk është domosdoshmërisht një album politik, pasi është një album personal, duke shpërfaqë të mirën, të keqen dhe të shëmtuarën, si dhe fuqinë që dikush mund ta ketë në fund të fundit duke qenë një i mbijetuar”.
Mbrëmja do të fillojë me bendin nga Prishtina ZWADA. Liderja e bendit, Suada Abazi është artiste nga Prishtina e cila qysh në fillim të karrierës së saj tërhoqi vëmendjen me zërin dhe këngët e saj përmes një kombinimi të bukur të zhanreve që ajo krijon.
Zwada përbëhet nga Suada Abazi (vokal / gitarë), Lum Veseli (bateri), Orges Kurtaj (bas gitarë) dhe Andi Sadiku (gitarë).
Edhe pse ZWADA frymëzohet nga indie rock, pop, dhe muzika alternative, ata nuk preferojnë të kategorizohen, dhe qëllimi i tyre është të rrjedhin lirshëm në muzikë.
Hyrja në këtë koncert mund të paguhet sipas dëshirës tuaj për të kontribuar në jetën kulturore dhe në art.
Kjo mbrëmje mundësohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ayefleet.
AIKYA: The Tapi Project & Ansambli Eksperimental i Lumbardhit
E shtunë, 3 shtator - 21:00
Kino Bahçe
Hyrja: 2 euro
Lumbardhi ka kënaqësinë ta mirëpresë bendin indian The Tapi Project që bashkëpunon me Ansamblin Eksperimental të Lumbardhit, të shtunën me 3 shtator, ku dyert do të hapen në orën 21:00 dhe performanca fillon në orën 22:00 në Kino Bahçe!
Muzika dhe poezia e Tapi Project vijnë përmes kulturave dhe nënkulturave të Indisë moderne dhe përvojave të botës moderne gjithnjë në ndryshim. Performancat e tyre të drejtpërdrejta janë një amallgamë ku shkrihen modernja me të lashtën dhe traditat e rrënjosura në realitetin gjithnjë në ndryshim të së tashmes.
Për më tepër, muzika e Tapit është e endur si pëlhurë, e rritur në mënyrë organike nga poezitë e Jogive. Nëpërmjet zërit të fuqishëm dhe sensual të Swatit, teksti gjallërohet, duke na gëlltitur në një oqean emocionesh përmes këndimeve mbi historitë për lumenjtë, jetën e brishtë, vlerat e humbura dhe në thelb, kërkimin universal të vetvetes.
I shoqëruar nga Ansambli Eksperimental i Lumbardhit, i inicuar nga Ilir Bajri, e i përbërë nga Adorel Haxhiaj, Arian Randobrava dhe Pleurat Doli, Tapi rikthehet në Prizren dhe mëton të ndërthurë ndikime të ndryshme kulturore, muzikore dhe dikotomike të jetës, nga India dhe bota e gjerë e deri te ngjyrat muzikore të Kosovës.
Së bashku, kjo bisedë zanore krijon një performancë të titulluar AIKYA, që do të thotë njëshmëri.
Performanca do të paraprihet nga një eksperiencë kulinare Kosovaro-Indiane dhe muzikë që na përgatitë për këtë rrugëtim të veçantë me fillim nga ora 20:00.
Kjo natë mundësohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në kuadër të programit LXX.
Ky koncert mundësohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Fondacioni Lumbardhi dhe Filharmonia e Kosovës kanë kënaqësinë të ju njoftojnë mbi premierën e veprës "Monade" të kompozuar nga pianisti dhe multi-instrumentalisti Robert Bisha e cilat do të mbahet me 17 shtator tek Kino Lumbardhi në Prizren.
Pas performancës në solo piano "Home Neverland" në vitin 2020, Bisha u rikthye në Prizren këtë pranverë për një rezidencë artistike ku filloi procesin e hulumtimit dhe kompozimit, duke u njoftuar me historinë e Kino Lumbardhit dhe rrethanave të ndryshueshme përgjatë 70 viteve të saj, përmes studimeve dhe takimeve me pjesëtarë të komunitetit artistik.
Duke u nisur nga ky kërkim, ai komponoi "Monade", një suitë për pianoforte, orkestër, kor, elektronikë kinematografike, ku kinemaja konsiderohet si nje instrument i përfshirë në orkestër, solistë vokalë dhe instrumente të folkut të rimodernuar që shqyrtojnë tematika kyqe që i përkasin qytetit të Prizrenit.
Për premierën e “Monade” me 17 shtator Robert Bisha do të jetë i shoqëruar nga pjesëtarë të orkestrit dhe korit të Filarmonisë së Kosovës, me rast të hapjes së sezonit koncertal të kësaj të fundit.
Detajet më të hollësishme për veprën dhe ngjarjen do të shpalosen ditëve në vijim.
DokuFest dhe Lumbardhi, kanë kënaqësinë të prezantojnë Hercules and Love Affair me 8 gusht, 2022 në Kino Bahçe në Prizren, në kuadër të line-up të këtij viti të #DokuNights dhe #LXX.
Hercules and Love Affair është projekt i muzikës dance i krijuar nga DJ, këngëtari, kompozitori, muzikanti dhe producenti amerikan Andy Butler, në vitin 2004. I përbërë nga një ekip i ndryshueshëm interpretuesish dhe muzikantësh, grupi vepron brenda zhanreve të muzikës house, disko, tekno dhe nu-disko.
Fillimisht të bazuar në New York City, tani me bazë në Ghent, Belgjikë, Hercules dhe Love Affair u themeluan pas bashkëpunimit të Butler me Anohni për të prodhuar këngën "Blind", që ishte një hit dhe u bë kënga e vitit në Pitchforks. Albumi i tyre debutues i vitit 2008 Hercules and Love Affair në DFA Records, mori një vlerësim të gjerë nga kritikët. Grupi vazhdoi t’i prodhojë dy albume për Moshi Moshi, “Blue Songs” në 2011, dhe më pas “The Feast of the Broken Heart” në 2014, ku John Grant paraqitet si i ftuar në këngën "I Try To Talk To You". Albumi i tyre i katërt “Omnion" u lansua në 2017 nga Atlantic Records, me Sharon Van Etten në këngën sipas së cilës u emërtua albumi.
Pas një ndërprerjeje pesëvjeçare, më 17 qershor 2022 grupi publikoi albumin e tyre të pestë “In Amber”, album me të cilin bendi do të performojnë në Kino Bahçe në kuadër të turneut të tyre evropian.
Biletat do të jenë në shitje te Kino Lumbardhi në Prizren, Servis Fantazia në Prishtinë dhe online https://dokufest.com/en/2022/dokunights/hercules-love-affair
Lumbardhi ka kënaqësinë të mirëpresë solo recitalin “Metamorphosis” nga pianisti Malik Halçe.
Solo recitali përbëhet nga pjesë të kompozitorëve të ndryshëm nga periudha dhe stile me kontraste drastike. Koncerti do të fillojë me pjesët më të rëndësishme dhe më sfiduese në repertorin standard të pianos të quajtur “Katër balada” (1831-1842) nga një prej kompozitorëve më të veçantë të pianos, Frédéric Chopin. Programi do të pasohet nga një sonatë për solo piano nga Béla Bartók (1926), “Puthja e fëmijës-Jezus” (Le baiser de l'Enfant-Jesus) nga “Njëzet vështrimet e fëmijës-Jezus” (Vingt Regards sur l'Enfant-Jesus) (1942) të Olivier Messiaen, dhe një vepër monumentale e quajtur Dante Sonata (Après une lecture du Dante: Fantasia quasi Sonata) (1849) nga kompozitori Franz Liszt.
Malik Halçe është nga Prizreni. Aftësimi i tij në piano nisi nga Shkolla e Muzikës Lorenc Antoni dhe vazhdoi në Konservatorin Shtetëror të Universitetit të Arteve të Bukura Mimar Sinan në Stamboll të Turqisë, për të vijuar me Akademinë Norvegjeze të Muzikës në Oslo, Norvegji. Aktualisht, ai studion në Akademinë e Muzikës Franz Liszt me Prof. Dráfi Kálmán në Budapest, Hungari.
Ai ka marrë pjesë në masterklasa të shumë pianistëve të njohur si Alicia Paleta Bugaj, Nikolay Demidenko, Denis Kozhukhin, Christian Wilm Müller, Ragna Schirmer, Johan Schmidt.
Në vitin 2012, Maliku u nderua me çmimin e dytë në konkursin e talentëve të rinjë, bashkë- organizuar nga Sedat Gürel - Güzin Gürel Arts Camp; Science Foundation dhe Orkestra Simfonike Shtetërore e Stambollit, ku performoi para audicionit në shoqërimin e Orkestrës Simfonike Shtetërore të Stambollit. Në vitin 2014 është vlerësuar edhe me çmimin e parë në konkursin ndërkombëtar të pianos ‘Pianisti i Ri 2014’ në Kosovë. Më pas Maliku performoi me Orkestrën Filharmonike të Kosovës në vitin 2015.
Ai u ftua në Festivalin Ndërkombëtar të Pianos në Miami në vitin 2017 dhe 2018. Gjatë qëndrimit të tij në Miami, Maliku dha koncerte të shumta dhe pati mundësinë të punojë me pianistë të njohur botërorë, duke përfshirë Jorge Luis Prats, Kemal Gekic, Claudio Martinez-Mehner, Francesco Libetta dhe Walter Ponce. Në vitin 2019 Maliku ka dhënë koncerte në Festivalin e 10-të Ndërkombëtar të Pianos Chopin dhe Autostrada Biennale në Kosovë.
Ky koncert u mundësua me mbështetjen e Komunës së Prizrenit, Komunës së Prishtinës, Cinemarine dhe KTV.
Lumbardhi kishte kënaqësinë ta prezantojë koncertin debutues të Michelle Gurevich në Kosovë më 24 qershor 2022 në Kino Bahçe!
Michelle Gurevich është këngëtare dhe kantautore kanadeze, e njohur edhe me emrin e saj të dikurshëm të skenës Chinawoman. Muzika e saj është e ndikuar nga trashëgimia e saj ruse dhe është përshkruar si rock i ngadalësuar dhe "lo-fi pop". Vajza e një balerine Kirov dhe një inxhinieri nga Leningradi, Michelle u rrit duke dëgjuar koleksionin e prindërve të saj të disqeve sovjetike dhe evropiane të viteve '70. Fansat e saj më të mëdhenj janë në Evropën Lindore.
Duke manovruar mes retro motiveve madhështore dhe një sinqeriteti befasues, këngët e Michelle Gurevich janë tragjikomike, të drejtuara nga melodia, sentimentale dhe të pezulluara në hijeshi. Ajo ndërthur humorin me realizmin e errët në baladat e tymosura dhe intime të lëvruara me tekste prerëse dhe fataliste.
Me shfaqjet që shiten rregullisht në qytete si Stambolli, Berlini, Varshava dhe Athina, Michelle ka krijuar një vend që përfshinë diasporën e Evropës Lindore, skenën queer të Berlinit dhe ato me shije për baladrinë melodramatike të Charles Aznavour, Zeki Müren dhe Nikolai Sliçenko. Ndërsa koncertet e saj përfshijnë më shumë aspekte të drejtpërdrejta dhe një grup muzikantësh, ajo vazhdon të prodhojë muzikë në dhomën e saj të gjumit, duke ruajtur një intimitet dhe beqari të shprehjes - nga dhoma e saj e gjumit në tuajën. Një zhanër i bazuar pjesërisht në elemente të melodisë dhe stilit, por për më tepër, një qasje e nënshkrimit fatalisto-festiv ndaj shkrimit të këngëve.
Michelle Gurevich ka prodhuar gjashtë albume në studio dhe së fundmi ka publikuar këngën e saj më të re "Goodbye My Dictator", duke krijuar referenca të forta me trashëgiminë e saj dhe situatën aktuale politike në Ukrainë.
Për ta përmbyllur programin e komponentit Albumet Pandemike për këtë sezonë, Lumbardhi ka kënaqësinë që ta prezantojë albumin e fundit të grupit por-nó me titull ‘Dyftyrëshi’.
I inqizuar mes viteve 2016 e 2018 në disa studio e lokacione, ‘Dyftyrëshi’ shënon albumin në të cilin Dritëro Nikqi ka punuar më së gjati dhe me praninë më të shumtë të bashkëpunëtorëve. Pos grupit thelbësor dhe fillestar të përbërë prej Dritëro Nikqit, Nesim Maxhunit, Liburn Jupollit e Michael Haves, nuk është e ekzagjeruar të thuhet se në krijimin e albumit marrin pjesë me dhjetra muzikantë dhe se secili shton në të ngjyrën e personalitetin e vet.
Ndonëse këngët si frymëzim fillestar e kanë temën e refugjatëve që vijnë nga zonat e luftës, ato janë këngë më intime e njëkohësisht më të drejtpërdrejta ndërkohë që titulli i albumit mbetet i dyfishtë dhe i hapur për interpretim.
Ju mirëpresim të shtunën me 28 gusht, prej orës 20:30, në Kino Bahçe! Hyrja e lirë!
Muzgu zanor këtë javë vjen me një qasje të re ndaj tingujve, me praninë e artistes kosovare multidisiplinare Tadi e cila mes formash të tjera shprehet edhe përmes muzikës. Për Tadin shprehja përmes muzikës në thelb transmeton të vërtetën e gjendjes njerëzore. Me kompozimet dhe miksimet e saj ajo e bën pikërisht atë, duke përsëritur ritmet arketipale të meditimeve stërgjyshore përmes rrëfimeve gjithnjë në zhvillim dhe hulumtimeve mbi tingullin dhe zhurmën. Hibridet që rezultojnë në proces në mënyrën më të mirë i zbulojnë mutacionet tona njerëzore dhe i bëjnë ato të dëgjueshme.
Tadi dhe motra e saj Anisa do ta ngrohin atmosferën përmes interpretimit të tingujve të frymëzuar nga muzika persiane në defin iranian Erbane dhe defin turk Bindir. Mos e lëshoni këtë mundësi!
Biletat me çmim prej 2 eurosh janë në shitje te kafeja e Lumbardhit dhe në hyrje para koncertit. Ju mirëpresim në Kino Bahçe!
Ky koncert u mundësua me mbështetjen e Swiss Agency for Development and Cooperation (SDC) dhe të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Të shtunën, me 31 korrik nga ora 20:30, mirëpresim rikthimin e mikut të Lumbardhit Ilir Bajri, kësaj rradhe në kuadër të programit ‘Albumet Pandemike’. ‘Introspective’ quhet koncerti që Ilir Bajri trio e sjellë për ta freskuar atmosferën në Kino Bahçe. Iliri do të shoqërohet nga Kiril Tufekcievski në bas dhe Viktor Filipovski në bateri.
Biletat me çmim prej 3 eurosh janë në shitje te kafeja e Lumbardhit dhe në hyrje para koncertit. Ju mirëpresim në Kino Bahçe!
Ky koncert mbështetet nga Swiss Agency for Development and Cooperation (SDC) dhe Grupi Koha.
Këtë të shtunë, më 10 korrik, si pjesë e programit 'Muzgu Zanor', të ftuar e kemi këngëtarin dhe kitaristin Plator Gashi.
I lindun dhe i rritun në Prishtinë, Platori është dashamir i folklorit, letërsisë gojore e llojllojshmërisë gjuhësore, aspekte të cilat përpiqet me i shkri e ndërfutë në eksplorimet e tij muzikore. Përveç kangës shqipe, Platori tërheq frymëzim edhe nga traditat e gjinitë e tjera muzikore, sidomos bossa nova braziliane, për me i ndërtu e stolisë përpunimet e tij.
Dyert hapen në orën 19:30 kurse performanca nisë në orën 20:00. Pas performancës, një play-listë me frymëzuesit muzikorë të Platorit, do të na shoqëron deri në orën kufizuese të muzikës, 22:45.
Biletat me çmim prej 2 eurosh janë në shitje te kafeja e Lumbardhit. Ju mirëpresim në Kino Bahçe!
Ky koncert mbështetet nga Bashkimi Evropian, në kuadër të projektit "Hapësirat Kulturore të Kosovës" dhe Komuna e Prizrenit.