Këtë javë kishim kënaqësinë ta mikpresim kyreshefin ekzekutiv të deritanishëm të Bankës Raiffeisen në Kosovë, z.Robert Wright dhe anëtarin e bordit menaxhues, z.Shukri Mustafa, në kuadër të vizitës lamtumirëse të z.Wright, i cili kaloi në pension sivjet. Në këtë vizitë ata u njoftuan me historikun e kinemasë, fazën e parë të Fondacionit Lumbardhi dhe aktivitetet e planet e realizuara në kuadër të partneritetit me Bankën Raiffeisen, si dhe planet për kremtimin e 70 vjetorit të Kino Lumbardhit si dhe vizionin afatgjatë për të.
Banka Raiffeisen në Kosovë ka mbështetur Lumbardhin që nga viti 2018, ndërsa nga korriku i këtij viti është sponsor gjeneral i Fondacionit Lumbardhi, duke mbështetur tranzicionin në Fazën II, digjitalizimin e programeve, komisionimin e punëve të reja dhe përkrahjen e artistëve vendorë.
Nafis Lokvica për rreth 50 vite, me kamerat e tij, ka dokumentuar parreshtur ritet lokale, jetën kulturore, trashëgiminë në shembje, momente kyqe historike dhe skena prej përditshmërisë së Prizrenit, ndërkohë që ka mbledhur edhe fotografi dhe materiale arkivore nga burime të ndryshme. Kolekcioni i tij përfshinë mijëra fotografi, negativë, filma, video dhe disqe të cilat ai i ka ndarë me Fondacionin Lumbardhi.
Gjatë muajve në vijim, në bashkëpunim me z. Lokvica, ky kolekcion do të digjitalizohet dhe katalogohet në mbikqyrje dhe këshillim të Bengi Muzbeg dhe Fjolla Rabi nga ekipi i arkivimit, në kuadër të projektit “Arkivi Publik”. Gjatë këtij bashkëpunimi, pjesë të kolekcionit do të hapen për publikun në formë të teksteve, albumeve, intervistave e prezantimeve të ndryshme, ndërkohë që në afat të gjatë, ato do ta ndërtojnë arkivin e ardhshëm publik digjital.
“Arkivi Publik” është nisur si projekt me përkrahjen e Fondit Ndërkombëtar të Ndihmës së Zyrës Federale të Punëve të Jashtme Gjermane, Instituti Goethe dhe partnerë të tjerë.
Fondacioni Lumbardhi zgjeron kolekcionin me donacion prej mbi 2,500 librash nga Shkëlzen Maliqi.
Filozofi, kritiku i artit, analisti politik dhe një ndër kontribuesit kryesor në zhvillimin e skenës së artit dhe kulturës së pavarur në 30 vitet e fundit në Kosovë, z. Shkëlzen Maliqi, nderoi Fondacionin Lumbardhi duke ia besuar mbi 2,500 tituj nga libraria e tij private, të grumbulluara në një periudhë prej më shumë se gjysmë shekulli, duke shënuar dhurimin e parë të këtij vëllimi për bibliotekën e Fondacionit Lumbardhi.
Ky kolekcion përfshinë një gamë të gjerë titujsh në gjuhë të ndryshme, që reflektojnë kuriozitetin e gjerë intelektual dhe profesional të z. Maliqi, duke përfshirë botime prej historisë së artit e bizantologjisë, shkenca sociale, politikë, letërsi, e botime të ndryshme mbi rajonin dhe Kosovën. Katalogimi dhe organizimi i librarisë, si dhe i arkivit personal të z. Maliqi do të realizohet në kuadër të projektit “Arkivi Publik” i cili nxitë krijimin e një biblioteke, arkivi dhe kolekcioni digjital të fotografive dhe dokumenteve në disa fusha që përkojnë me kërkimet e Lumbardhit dhe i hapen publikut në disa faza gjatë vitit 2022.
Projekti “Arkivi Publik” po ashtu do ta përkrahë ndërveprimin e hulumtuesve të Lumbardhit me komunitete kulturore, shkencore dhe me qytetarë të përkushtuar të të gjitha gjeneratave, për të zhvilluar një fond të përbashkët publik prej asaj që është në pronësi private. Kjo dije e përbashkët do të ndahet me hulumtuesit dhe të interesuarit nëpër hapësirat digjitale dhe ato të shfrytëzuara nga Fondacioni Lumbardhi dhe partnerët e tij, në formë të burimit primar si dhe programeve, bisedave e botimeve që dalin prej tyre dhe dokumentojnë aspekte të historisë moderne të Prizrenit dhe rajonit për publikun.
Të gjithë të interesuarit për të ndarë materiale, arkiva private apo libra, mund t’i drejtohen ekipit të Fondacionit Lumbardhi në info@lumbardhi.org.
Falenderojmë partnerët tanë PRESJE për akomodim të përkohshëm të koleksionit.
“Arkivi Publik” është nisur si projekt me përkrahjen e Fondit Ndërkombëtar të Ndihmës së Zyrës Federale të Punëve të Jashtme Gjermane, Instituti Goethe dhe partnerë të tjerë.
Platforma bashkëkrijuese GërrGërr organizoi ngjarjen ‘Mahallë e hapun: Playlista kolektive’, për ta kremtuar hapësirën e re publike që lidhi kopshtin e shtëpisë historike të Shani Efendiut me Kino Lumbardhin dhe Lagjen e Farkëtarëve.
Gjatë ngjarjes, u prezantua qëllimi dhe natyra e ndëhyrjeve dhe pjesëmarrësit u shoqëruan nga programi muzikor “Playlista Kolektive” të përpiluar me kontributin e banorëve dhe zejtarëve të mahallës.
Intervenimi në “Mahallë të hapun” është bazuar në konsultim me hisedarë dhe është hartuar nga KhoraOffice. Punimet janë zbatuar nga platforma bashkëkrijuese GërrGërr në bashkëpunim me Fondacionin Lumbardhi dhe “Plantopija” në kuadër të projektit “City Experiment Fund” të UNDP në Kosovë.
Fondacioni Lumbardhi organizoi shfaqje speciale të video programit të Protocinema të kuruar nga Aslı Seven “Pranverë e përhershme, behar i vonuar”, për studentët në nivelin bachelor të Fakultetit të Artit, Departamenti i Artit Konceptual, klasa për videoinstalim, udhëhequr nga Driton Selmani.
Programi njëorësh i videove të zgjedhura një kanalëshe që pati premierë në Stamboll në qershor, udhëtoi në vende të tjera në mbarë botën duke përfshirë shfaqjet te Lumbardhi, mes 23-26 tetorit.
Video programi paraqet vepra nga Sofia Gallisa Muriente, Ahmet Öğüt, Deniz Tortum & Kathryn Hamilton, Hera Büyüktaşçıyan, Emre Hüner dhe Minia Biabiany që reflektojnë mbi mjediset e ndërtuara si "skena" apo peizazhe- peisazh kibernetik, peisazh mendor, duke mobilizuar gradacione të shumta hapësinore dhe kohore.
Realizimi i këtij programi është mbështetur nga Banka Raiffeisen në Kosovë.
Filmi “Proka” shenjon poetikën e stilit dallues të regjisorit të spikatur dhe ndërkombëtarisht të njohur Isa Qosja.
Kemi nderin që për ta diskutuar procesin e realizimit të filmit, gjuhën e tij kinematografike në përgjithësi dhe momente nga karriera e tij, regjisorin Isa Qosja do ta kemi të ftuar për një bisedë të drejtpërdrejtë në Dokukino, pas shfaqjes së filmit me 31 tetor, në orën 18:00.
Kur individi nuk shëmbëllen me të tjerët dhe sheh punën e vet, nuk fyen as nuk i bie në qafë askujt, domosdo që bie ndesh me mjedisin e thashethemnajave, me mjedisin e amullt e të përulur. Ai bie ndesh me ushtruesit e pushtetit, të cilët përmes tij duan njëkohësisht t’i disiplinojnë të nënshtruarit dhe të tregojnë pushtetin autoritar. Proka është një fatkeq që nuk i bën keq askujt, e sheh punën e vet, dashuron sinqerisht, përpiqet të kujdeset për të afërmit por përfundon tragjikisht.
Filmi njihet për gjerësitë panoramike të një ambienti të pazakonshëm dhe formën e zbërthimit individual të personazheve të skalitura mirë.
Çdo mbrëmje mes 27 dhe 31 tetor, duke filluar nga ora 18:00 kult filmat e prodhuar nga Kosovafilmi prezantohen nga Fondacioni Lumbardhi në Dokukino.
Hyrja ofrohet falas.
Realizimi i programit është mundësuar nga Raiffeisen Bank, Zyra Zvicerane për Bashkëpunim, Komuna e Prizrenit dhe KTV.
Fondacioni Lumbardhi në bashkëpunim me Protocinema ka kënaqësinë ta shfaqë video programin "Pranverë e përhershme, behar i vonuar", të kuruar nga Aslı Seven.
Ky është një program njëorësh i videove të zgjedhura, të cilat patën premierë në Stamboll në qershor dhe më pas udhëtuan në vende të tjera në mbarë botën.
Programi paraqet veprat e Sofia Gallisa Muriente, Ahmet Öğüt, Deniz Tortum & Kathryn Hamilton, Hera Büyüktaşçıyan, Emre Hüner dhe Minia Biabiany që reflektojnë mbi mjediset e ndërtuara si "skena" apo peizazhe- peisazh kibernetik, peisazh mendor, duke mobilizuar gradacione të shumta hapësinore dhe kohore.
Çdo film në strukturën e tij unike të gjuhës, narracionit dhe teknikës, komenton marrëdhënien tonë të shkëputur me tokën, klimën dhe biosin e përshkuar nga teknologjitë narrative dhe të informacionit, dhe mbi ngatërrimin e punës dhe argëtimit në kontekstin tonë ekstraktivist global. Filmat në program theksojnë së bashku agjencinë semiotike të mjeteve si shtrirje shqisore, njohëse dhe fizike të njerëzve në fabrikimin e botës ku ne banojmë. Përtej sigurimit të një diagnoze për fundin e botës sonë aktuale, ata ngrisin pyetjen se çfarë do të vijë, dhe çfarë do të bëjmë ne me të gjitha botët e kaluara që kanë marrë fund?
Lista e artistëve dhe videove, sipas rendit të paraqitjes:
Sofia Gallisa Muriente, Asimilar y Destruir II, 2020, 6'35"
Ahmet Öğüt, Worker's Ordinary Day, 2019, 3'18"
Deniz Tortum & Kathryn Hamilton, ARK, 2020, 13'11"
Hera Büyüktaşçıyan, Infinite Nectar, 2020, 10'55"
Emre Hüner, The Underwater Dig, 2019, 12'
Minia Biabiany, Pawol se van, 2020, 11'46"
Video-programi do të projektohet me 23, 24 dhe 26 tetor në dy orare; prej orës 12:00
dhe 18:00, te Kino Lumbardhi.
Realizimi i këtij programi është përkrahur nga Banka Raiffeisen në Kosovë.
Botimi “Not Fully Human, Not Human at All” ("Jo plotësisht njerëzor, aspak njeri"), përqendrohet në një larmi tekstesh, duke filluar nga ese kritike, tek transkriptet e diskutimeve publike, tek tekstet artistike që përqëndrohen në përgjigjet artistike dhe diskursive ndaj proceseve të dehumanizimit që po ndodhin në Evropë. Botimi gjithashtu dokumenton rezultatet publike të projektit në Kunstverein in Hamburg (Gjermani), Fondacioni Lumbardhi (Prizren, Kosovë), Kunsthalle Lissabon dhe Hangar (Lisbonë, Portugali), Netwerk Aalst (Aalst, Belgjikë), dhe Kadist (Paris, Francë).
Duke sjellë një larmi të këtyre pozicioneve artistike dhe kulturore, botimi jep shembuj se si dehumanizimi mund të vlerësohet, ç’paketohet në mënyrë kritike - apo edhe tejkalohet - ndërsa në fund propozon që institucionet kulturore të Evropës të kenë një përgjegjësi të caktuar politike për t'iu përgjigjur proceseve të dehumanizimit.
Redaktuar nga Bettina Steinbrügge (Kunstverein në Hamburg) dhe Emilie Villez (KADIST)
Redaktor menaxhues: Nataša Petrešin-Bachelez dhe Nicholas Tammens
Grafika: Charlotte Rhode
Shpërndarja: Archive Books
Me kontribute nga: Arely Amaut, Saddie Choua, Andreja Dugandžić, Ibro Hasanović, Jelena Jureša, Kaltrina Krasniqi, Raquel Lima, Olivier Marbouef, Yuderkys Espinosa Miñoso, João Mourão, Arlette-Louise Ndakoze, Daniela Ortiz, Nataša Petrešin-Bachelez, Jelena Petrović, Lala Rašćić, Ares Shporta, Luís Silva, Bettina Steinbrügge, Nora Sternfeld, Pieternel, Vermoortel, Francisco Godoy Vega, Emilie Villez, Zairong Xiang.
Me vepra nga: Saddie Choua, Valentina Desideri , Denise Ferreira da Silva , Arely Amaut, Nilbar Güreş, Ibro Hasanović, Jelena Jureša, Doruntina Kastrati, Kaltrina Krasniqi, Olivier Marboeuf, Pedro Neves Marques, Christian Nyampeta, Daniela Ortiz, Monira Al Qadiri and Lala Raščić.
Ekspozita e bazuar në hulumtimin ‘Formimi i Kombit’, me titull 'Kush janë Ferit dhe Nakiye Bayram?' nga Sezgin Boynik dhe Tevfik Rada, pjesë e edicionit të tretë të Autostrada Biennale është mbyllur për shkak të masave aktuale për parandalimit të pandemisë.
Nëndërkohë, ju mund të njoftoheni më shumë me hulumtimin dhe tematikat e ekspozitës duke i lexuar shkrimet e botuara te BLLOGU në kategorinë Formimi i Kombit: https://bllogu.lumbardhi.org/.../14/kush-eshte-ferit-bajram/
Formimi i Kombit u komisionua nga Fondacioni Lumbardhi dhe u realizua me mbështetjen e zyrës së Forumit ZFD në Prishtinë.
Punëtoria dhjetë ditëshe ‘Ansambli Eksperimental i Lumbardhit’ solli bashkë Cemi Tatar (në daulle), Ilirjana Memaj (në perkusione), Alejna Laloshi (në flautë), Yasin Rada (në gitarë dhe midi), Hasib Karaçi (në klarinet), Diart Ramadani (në dizajn tingulli), Agona Shporta (në narrativë) dhe Ilir Bajri (në piano).
Për pjesëmarrësit e udhëhequr nga Ilir Bajri, kjo përvojë u dha mundësi të bëhen pjesë e një ansambli dhe të eksperimentojnë me aftësitë dhe talentet e tyre muzikore në mënyrë kreative përbrenda një grupi. Gjatë punëtorisë, grupi kompozoi dhe prodhoi muzikën 18 minutëshe për dokumentarin "Prizreni, Qyteti i Burimeve dhe Bukurisë, 1972".
‘Ansambli Eksperimental i Lumbardhit’ u zhvillua në kuadër të Programit të Edukimit të Lumbardhit dhe u përkrah nga Swiss Agency for Development and Cooperation (SDC), Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna e Prizrenit.