Të shtunën, me 7 maj, mes orës 11:00-13:00, Lumbardhi organizoi punëtorinë për ngjyrosje me Rina Krasniqin, autoren e “Ngjyrose Lumbardhin”, ku u ftuan fëmijët e moshës 6-10 vjeç që të aplikojnë për një përvojë ngjyrosjeje.
Fëmijët patën mundësi që bashkë me autoren ta ngjyrosin ndonjë nga skenat e përfshira në librin 'Ngjyrose Lumbardhin' dhe të dëgjojnë tregime interesante rreth ish-Kino Bistricës që nga themelimi i saj e gjerë më sot. Pos ngjyrosjes dhe mësimit rreth kinemasë, fëmijëve do u dhurua nga një kopje e librit 'Ngjyrose Lumbardhin'.
Me 13.04. 2022, drejtori i Vardar Film nga Shkupi, z. Sani Saidi ishte i pranishëm në Prizren për ta nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit mes Vardar Film dhe Fondacionit Lumbardhi.
Vardar Film dhe Fondacioni Lumbardhi u dedikohen thellimit të një bashkëpunimi afatgjatë me qëllim të zhvillimit të programeve të filmit, edukimit në histori të filmit, si dhe programeve të shkëmbimit të përvojave mes dy institucioneve.
Filmat e parë të prezantuar në kuadër të këtij bashkëpunimi, Etja (1971) dhe Pjesa maqedonase e ferrit (1971) do të shfaqen në kuadër të programit të filmit " LXX", në vazhdën e ngjarjeve të planifikuara për ta festuar 70 vjetorin e hapjes së Kinemasë Lumbardhi.
Filmat do të shfaqen në Kino Bahçe, mes datave 25 maj – 30 shtator.
Vardar Film është kompani e prodhimit dhe shpërndarjes së filmave me seli në Shkup, Maqedoni e Veriut. Ka filluar funksionimin në vitin 1947 dhe sot funksionon si qendër moderne filmike dhe edukative.
Hapësirat Kulturore të Kosovës, projekt ky pjesë e së cilit është Lumbardhi, sjellë publikimin e hulumtimit “Hapësirat kulturore të Kosovës” nga Rudina Hasimja.
Botimi ka për qëllim që t’i përmbledhë dhe t’i ndërlidhë bisedat mbi kulturën, artin dhe hapësirat publike, duke propozuar një kornizë për një analizë më të thellë të barrierave me të cilat përballen hapësirat kulturore. Botimi gjithashtu thekson nevojën për ndërgjegjësim mbi betejat e organizatave të pavarura të kulturës, me synim që të hapen biseda mbi modele të ndryshme të qeverisjes që lejojnë më shumë pjesëmarrje dhe llogaridhënie publike.
Hulumtimin, mund ta gjeni dhe shkarkoni në: https://www.culturalspacekosova.org
Ky hulumtim u mundësua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, në kuadër të projektit "Partneriteti Publik Qytetar për Qeverisje Inovative të Infrastrukturës Publike" të zbatuar nga Anibar, Lumbardhi, 7 Arte , dhe Pogon.
Fillimet: mbledhja, arkivimi dhe qasja
9.03.2022
10:00 - 12:00 ECT
Ngjarja do të zhvillohet online dhe në gjuhën angleze
Linku për formën e regjistrimit: https://forms.gle/CQbaySMpZCsB7mLT8
Fillimet: mbledhja, arkivimi dhe qasja
Sezin Romi do të mbajë një bisedë në kuadër të projektit Arkivi Publik të Lumbardhit, i cili synon ta ndërtojë një koleksion arkivor me fokus në historinë moderne të Prizrenit. Në prezantimin e saj, Romi do të përqëndrohet në infrastrukturën e nevojshme për konstituimin e arkivave në kontekstin institucional. Duke diskutuar mbi nocionin e arkivit, ajo do t’i shpjegojë arsyet e arkivimit dhe të përdorimit publik të tyre. Ajo do të shtjellojë procese si mbledhja, klasifikimi dhe përshkrimi, digjitalizimi dhe politikat e qasjes në SALT Research. Nëpërmjet projekteve të përzgjedhura kërkimore të SALT, ajo do të shqyrtojë metoda të ndryshme dhe rëndësinë kritike të arkivave në interpretimin e historisë së artit.
Realizimi i kësaj bisede u mundësua me mbështjetjen e Institutit Goethe dhe partnerëve të tjerë.
Rreth Sezin Romi
Sezin Romi është Bibliotekiste dhe Arkiviste në SALT (Stamboll dhe Ankara, Turqi). Përveç menaxhimit të bibliotekës, ajo kryen proceset e nevojshme për kërkimin dhe qasjen e arkivave të artit në degën për kërkim të SALT. Ajo ka qenë dhe është gjithashtu e përfshirë në kërkimin dhe vizualizimit të projekteve të SALT si “Ishte një kohë bisede” (2012-2013), “Nga Anglia me dashuri”, “Ismail Saray” (2014-2015), “Shkolla Idealiste”, “Studio Produktive “(2018) dhe “Shoqata e Historisë së Muzeve të Pikturës dhe Skulpturës” (2022). Duke bashkëpunuar në proceset kërkimore të e-publikimeve të ndryshme të SALT, Romi është bashkëredaktor i botimit “Ismail Saray”(2018).
Rreth Kërkimeve në SALT dhe SALT
SALT është një institucion kulturor jofitimprurës në shërbimin publik, i angazhuar në kërkime, ekspozita, botime, projekte në internet, konferenca dhe programe të tjera publike në Turqi. Programet e SALT shpërndahen mes ndërtesave SALT Galata dhe SALT Beyoğlu në Stamboll. Institucioni punon në kryqëzimet e disiplinave të ndryshme si praktikat vizuale, mjedisi i ndërtuar, jeta shoqërore dhe historia ekonomike.
SALT Research përfshin një bibliotekë të specializuar dhe një arkiv me burime fizike dhe dixhitale dhe dokumente mbi praktikat vizuale, mjedisin e ndërtuar, jetën shoqërore dhe historinë ekonomike. Si pjesë e një angazhimi afatgjatë për dixhitalizimin e burimeve në SALT Research, institucioni i bën dokumentet dhe burimet të disponueshme universalisht nëpërmjet saltresearch.org së bashku me katalogun e botimeve të qasjes lokale.
Lumbardhi ka kënaqësinë të prezanton “Ngjyrose Lumbardhin”, libër për ngjyrosje i konceptuar dhe realizuar nga Rina Krasniqi në kuadër të programit QARK.
Duke u bazuar pjesërisht në materialin kërkimor të hulumtuesve Tevfik Rada dhe Bengi Muzbeg rreth historisë së Kino Lumbardhit, Rina ka imagjinuar dhe ri-interpretuar copëza nga e kaluara dhe e tashmja e kinemasë në formë të vizatimeve dhe tregimtheve përcjellëse.
Libri fton të rriturit dhe të vegjëlit që t’i ngjyrosin vizatimet, t’i vazhdojnë ato, të marrin shënime, e të ngjesin në të kujtime, si për shembull ndonjë biletë filmi apo një petale të ndonjë luleje, duke reflektuar kështu jo vetëm mbi rrugëtimin e deritanishëm të kinemasë, por edhe mbi atë të trashëgimisë kulturore të Prizrenit.
“Ngjyrose Lumbardhin” del në shitje me 25 shkurt dhe atë mund ta gjeni te Kino Lumbardhi në Prizren dhe Libraria Dukagjini në Prishtinë.
Realizimi i librit u përkrah nga Banka Raiffeisen në Kosovë, Fondi Ndërkombëtar i Ndihmës i Zyrës Federale të Punëve të Jashtme Gjermane, Ambasada Gjermane në Prishtinë, Instituti Goethe dhe partnerë të tjerë.
Ambasadori Gjerman z. Jörn Rohde vizitoi Kino Lumbardhin ku u prit nga drejtori i Fondacionit, z. Ares Shporta. Në takim ai u njoftua me historinë e kinemasë, bashkëpunimet e deritanishme në ndërtimin institucional, zhvillimin e njësisë së hulumtimit dhe arkivimit si dhe projektin për rijetësim dhe Fazën II të Lumbardhit. Ata po ashtu diskutuan për politikat kulturore në Prizren dhe Kosovë, bashkëpunimet me skenën e pavarur si dhe mundësitë për bashkëpunime në kuadër të Parkut për Trajnim dhe Inovacion. ITP Prizren.
Fondacioni Lumbardhi është mirënjohës për mbështetjen e Ambasadës Gjermane si dhe partnerëve si Instituti Goethe, Fondacioni Heinrich Böll dhe Forum ZFD.
Fondacioni Lumbardhi ka kënaqësinë të konfirmon vazhdimin e marrëveshjes me Agjencinë Kosovare të Privatizimit për shfrytëzim të Kino Lumbardhit edhe për vitin 2022.
Ky partneritet i ndërtuar pas Iniciativës për Mbrojtje të Kino Lumbardhit dhe shpalljes së kinemasë aset nën mbrojtje të përkohshme, ka mundësuar përmirësimin e infrastrukturës së kinemasë dhe ruajtjes së vlerave të trashëgimisë.
Kjo mundësoi shfrytëzimin e kinemasë nga më shumë se 160 institucione dhe grupe joformale si dhe mbi 100,000 vizitorë, gjë që dëshmoi nevojën për rijetësim të plotë të kinemasë dhe kthim të saj në pronësi publike për një të ardhme të qëndrueshme dhe afatgjatë të këtij institucioni që ka qenë ndër qendrat kryesore shoqërore të Prizrenit për 70 vite.
Fondacioni Lumbardhi i shpreh mirënjohjen e thellë drejtuesve të AKP-së dhe zyrtarëve të saj përkatës në Prizren për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin gjatë këtyre tetë viteve të angazhimit për rikthim të plotë të kinemasë. Me këtë rast, shfrytëzojmë momentin t'i adresohemi Komunës së Prizrenit, Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Zyrës së Kryeministrit për përfundim të procesit të pronës dhe bashkëpunim me hisedarët nga shoqëria civile për një përfundim kremtues këtij procesi të stërzgjatur.
Kino Lumbardhi është përfshirë në listën prej 54 monumenteve të trashëgimisë kulturore të propozuara nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për vendosje nën mbrojtje të përhershme. Pas vlerësimit nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore, pritet miratimi formal i kësaj liste në fillim të vitit 2022, kur edhe kremtojmë 70 vjetorin e themelimit të Kino Lumbardhit.
Vitin që po vjen, pas një procesi shtatëvjeçar të bashkëveprimit mes organizatave dhe komuniteteve kulturore, institucioneve qendrore dhe atyre lokale, pritet përcaktimi i modelit institucional për menaxhimin dhe zhvillimin afatgjatë të kinemasë dhe fillimi i restaurimit të saj me mbështetje të Bashkimit Europian. Ky vit do të përcillet nga një program i larmishëm dhe dinamik që do të shtrihet për gjatë vitit.
Fondacioni Lumbardhi i falemnderon institucionet dhe të gjithë partnerët, përkrahësit dhe individët e shumtë të përfshirë në të gjitha fazat e këtij procesi.
Mes datave 13-14 dhjetor në Kino Jusuf Gervalla në Pejë u mbajt konferenca “Partneriteti Publiko-Civil për Reformën në Qeverisjen Kulturore në Kosovë”, organizuar nga Anibar, në kuadër të projektit “Hapësirat Kulturore të Kosovës”.
Projekti ka filluar në vitin 2019 si vazhdimësi e bashkëpunimeve të mëparshme mes Anibar, Fondacionit Lumbardhi dhe Platformës Kooperativa. Gjatë tre viteve të para, projekti u shëndrrua në një burim të vazhdueshëm të përkrahjes së rrjeteve dhe platformave bashkëpunuese, zhvillimit të programeve dhe kushteve për funksionimin e hapësirave kulturore në Kosovë, si dhe ndërtimin dhe shkëmbimin e njohurisë në çështjet përkatëse.
Konferenca bashkoi zyrtarët publik, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe akterët e kulturës së pavarur nga rajoni për të diskutuar rreth çështjeve të financimit publik të kulturës, ringjalljes dhe qeverisjes së hapësirave kulturore, si dhe principeve të bashkëveprimit. Përmes diskutimeve dhe punëtorive, pjesëmarrësit reflektuan mbi situatën aktuale dhe perspektivat e skenës së pavarur, përderisa prezantuan përvoja të ndryshme në zbatim të bashkëpunimit publiko-civil në politikat lokale dhe qendrore të kulturës, si mjet i krijimit të modeleve të reja institucionale dhe ngritjes së pjesëmarrjes qytetare.
“Hapësirat Kulturore të Kosovës” ështe projekt katër-vjeçar i implementuar nga Anibar në bashkëpunim me Fondacionin Lumbardhi, 7arte dhe Pogon, me mbështetje financiare nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë.
Në fillim të muajit dhjetor të vitit 2021, gjatë një konference për media Fondacioni Lumbardhi lansoi “Fazën II’ të zhvillimit institucional, duke shpalosur për publikun dhe mediat përmbledhjen e fazës së parë dhe planet për fazën e dytë.
Organizata e themeluar pas Iniciativës për Mbrojtje të Kino Lumbardhit, për 7 vite është angazhuar për rijetësimin e Kino Lumbardhit përmes ndërhyrjeve riparuese dhe aktivuese, dialogut mes hisedarëve, programeve të larmishme dhe avokimit për kalim të kinemasë në pronësi publike, në mënyrë që të realizohet restaurimi i plotë i saj si hapësirë shumë-funksionale e hapur për të gjithë, që i ruan vlerat e këtij aseti të trashëgimisë kulturore. Përgjatë kësaj periudhe, Fondacioni Lumbardhi dhe mbi 150 organizata, institucione, komunitete dhe grupe joformale kanë realizuar afër 1.000 ngjarje për mbi 100.000 vizitorë dhe shfrytëzues aktiv.
Në fjalën e tij, drejtori ekzekutiv Ares Shporta, tha që “pas një faze të gjatë të përqëndruar në rikthim dhe vizionim të kinemasë dhe organizatës, presim bashkëpunimin e institucioneve që të jetësohet ky vizion i ndërtuar bashkarisht. Në këtë fazë të re, Fondacioni Lumbardhi i zgjeron programet, kapacitetet dhe misionin përtej Kino Lumbardhit, për të bashkëpunuar me hapësira tjera në qytet, rajon dhe sferë digjitale, ndërsa përqendrohet në punë kërkimore, prodhim të dijes dhe përkrahje të nismave të ndryshme bashkëpunuese dhe afatgjata.” Ai shtoi se “Gjatë vitit 2022 do ta festojmë 70 vjetorin e hapjes së kinemasë, me komisionime të ndryshme, diskutime e ngjarje për të interpretuar aspekte të ndryshme të një historie të ndërlikuar. Duam ta kremtojmë punën tonë të deritanishme dhe u bëjmë thirrje institucioneve për bashkëpunim, që t’i japim një epilog pozitiv këtij rrugëtimi të gjatë dhe të fillojmë restaurimin e plotë të kinemasë gjatë këtij viti.“
Në vazhdim, së bashku me drejtoren e financave dhe administratës të Fondacionit Lumbardhi, znj. Fitore Rexhepi, ata ndanë informata rreth procesit të zhvillimit institucional të Fondacionit Lumbardhi dhe Kino Lumbardhit duke theksuar një numër të politikave, dokumenteve dhe reformave që kanë të bëjnë me vendimmarjen dhe praktikat e qeverisjes, financimin, zhvillimin e burimeve njerëzore, partneriteteve dhe transparencën e Fondacionit Lumbardhi, sikurse edhe shfrytëzimin dhe menaxhimin afatgjatë dhe të qëndrueshëm të Kino Lumbardhit. Me këtë rast u paralajmërua se në kuadër të tranzicionit, drejtori ekzekutiv dhe bashkëthemeluesi i Fondacionit Ares Shporta do të largohet nga kjo detyrë në pranverë të vitit 2022 dhe se pasardhësi apo pasardhësja do të përzgjedhet përmes një thirrjeje publike që do të hapet në fillim të vitit 2022. Për ta shënuar kalimin në Fazën II, Lumbardhi do ta lansojë webfaqen e re ku edhe prezantohet identiteti i ri pamor i Fondacionit dhe arkivi i programeve dhe kërkimeve, shoqëruar me kampanjën digjitale #LumbardhinëTranzit, që do ta zbërthejë këtë proces dhe vizionin përmes mjeteve të ndryshme.