Me 13.04. 2022, drejtori i Vardar Film nga Shkupi, z. Sani Saidi ishte i pranishëm në Prizren për ta nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit mes Vardar Film dhe Fondacionit Lumbardhi.
Vardar Film dhe Fondacioni Lumbardhi u dedikohen thellimit të një bashkëpunimi afatgjatë me qëllim të zhvillimit të programeve të filmit, edukimit në histori të filmit, si dhe programeve të shkëmbimit të përvojave mes dy institucioneve.
Filmat e parë të prezantuar në kuadër të këtij bashkëpunimi, Etja (1971) dhe Pjesa maqedonase e ferrit (1971) do të shfaqen në kuadër të programit të filmit " LXX", në vazhdën e ngjarjeve të planifikuara për ta festuar 70 vjetorin e hapjes së Kinemasë Lumbardhi.
Filmat do të shfaqen në Kino Bahçe, mes datave 25 maj – 30 shtator.
Vardar Film është kompani e prodhimit dhe shpërndarjes së filmave me seli në Shkup, Maqedoni e Veriut. Ka filluar funksionimin në vitin 1947 dhe sot funksionon si qendër moderne filmike dhe edukative.
Hapësirat Kulturore të Kosovës, projekt ky pjesë e së cilit është Lumbardhi, sjellë publikimin e hulumtimit “Hapësirat kulturore të Kosovës” nga Rudina Hasimja.
Botimi ka për qëllim që t’i përmbledhë dhe t’i ndërlidhë bisedat mbi kulturën, artin dhe hapësirat publike, duke propozuar një kornizë për një analizë më të thellë të barrierave me të cilat përballen hapësirat kulturore. Botimi gjithashtu thekson nevojën për ndërgjegjësim mbi betejat e organizatave të pavarura të kulturës, me synim që të hapen biseda mbi modele të ndryshme të qeverisjes që lejojnë më shumë pjesëmarrje dhe llogaridhënie publike.
Hulumtimin, mund ta gjeni dhe shkarkoni në: https://www.culturalspacekosova.org
Ky hulumtim u mundësua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, në kuadër të projektit "Partneriteti Publik Qytetar për Qeverisje Inovative të Infrastrukturës Publike" të zbatuar nga Anibar, Lumbardhi, 7 Arte , dhe Pogon.
Ambasadori Gjerman z. Jörn Rohde vizitoi Kino Lumbardhin ku u prit nga drejtori i Fondacionit, z. Ares Shporta. Në takim ai u njoftua me historinë e kinemasë, bashkëpunimet e deritanishme në ndërtimin institucional, zhvillimin e njësisë së hulumtimit dhe arkivimit si dhe projektin për rijetësim dhe Fazën II të Lumbardhit. Ata po ashtu diskutuan për politikat kulturore në Prizren dhe Kosovë, bashkëpunimet me skenën e pavarur si dhe mundësitë për bashkëpunime në kuadër të Parkut për Trajnim dhe Inovacion. ITP Prizren.
Fondacioni Lumbardhi është mirënjohës për mbështetjen e Ambasadës Gjermane si dhe partnerëve si Instituti Goethe, Fondacioni Heinrich Böll dhe Forum ZFD.
Kino Lumbardhi është përfshirë në listën prej 54 monumenteve të trashëgimisë kulturore të propozuara nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për vendosje nën mbrojtje të përhershme. Pas vlerësimit nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore, pritet miratimi formal i kësaj liste në fillim të vitit 2022, kur edhe kremtojmë 70 vjetorin e themelimit të Kino Lumbardhit.
Vitin që po vjen, pas një procesi shtatëvjeçar të bashkëveprimit mes organizatave dhe komuniteteve kulturore, institucioneve qendrore dhe atyre lokale, pritet përcaktimi i modelit institucional për menaxhimin dhe zhvillimin afatgjatë të kinemasë dhe fillimi i restaurimit të saj me mbështetje të Bashkimit Europian. Ky vit do të përcillet nga një program i larmishëm dhe dinamik që do të shtrihet për gjatë vitit.
Fondacioni Lumbardhi i falemnderon institucionet dhe të gjithë partnerët, përkrahësit dhe individët e shumtë të përfshirë në të gjitha fazat e këtij procesi.
Në fillim të muajit dhjetor të vitit 2021, gjatë një konference për media Fondacioni Lumbardhi lansoi “Fazën II’ të zhvillimit institucional, duke shpalosur për publikun dhe mediat përmbledhjen e fazës së parë dhe planet për fazën e dytë.
Organizata e themeluar pas Iniciativës për Mbrojtje të Kino Lumbardhit, për 7 vite është angazhuar për rijetësimin e Kino Lumbardhit përmes ndërhyrjeve riparuese dhe aktivuese, dialogut mes hisedarëve, programeve të larmishme dhe avokimit për kalim të kinemasë në pronësi publike, në mënyrë që të realizohet restaurimi i plotë i saj si hapësirë shumë-funksionale e hapur për të gjithë, që i ruan vlerat e këtij aseti të trashëgimisë kulturore. Përgjatë kësaj periudhe, Fondacioni Lumbardhi dhe mbi 150 organizata, institucione, komunitete dhe grupe joformale kanë realizuar afër 1.000 ngjarje për mbi 100.000 vizitorë dhe shfrytëzues aktiv.
Në fjalën e tij, drejtori ekzekutiv Ares Shporta, tha që “pas një faze të gjatë të përqëndruar në rikthim dhe vizionim të kinemasë dhe organizatës, presim bashkëpunimin e institucioneve që të jetësohet ky vizion i ndërtuar bashkarisht. Në këtë fazë të re, Fondacioni Lumbardhi i zgjeron programet, kapacitetet dhe misionin përtej Kino Lumbardhit, për të bashkëpunuar me hapësira tjera në qytet, rajon dhe sferë digjitale, ndërsa përqendrohet në punë kërkimore, prodhim të dijes dhe përkrahje të nismave të ndryshme bashkëpunuese dhe afatgjata.” Ai shtoi se “Gjatë vitit 2022 do ta festojmë 70 vjetorin e hapjes së kinemasë, me komisionime të ndryshme, diskutime e ngjarje për të interpretuar aspekte të ndryshme të një historie të ndërlikuar. Duam ta kremtojmë punën tonë të deritanishme dhe u bëjmë thirrje institucioneve për bashkëpunim, që t’i japim një epilog pozitiv këtij rrugëtimi të gjatë dhe të fillojmë restaurimin e plotë të kinemasë gjatë këtij viti.“
Në vazhdim, së bashku me drejtoren e financave dhe administratës të Fondacionit Lumbardhi, znj. Fitore Rexhepi, ata ndanë informata rreth procesit të zhvillimit institucional të Fondacionit Lumbardhi dhe Kino Lumbardhit duke theksuar një numër të politikave, dokumenteve dhe reformave që kanë të bëjnë me vendimmarjen dhe praktikat e qeverisjes, financimin, zhvillimin e burimeve njerëzore, partneriteteve dhe transparencën e Fondacionit Lumbardhi, sikurse edhe shfrytëzimin dhe menaxhimin afatgjatë dhe të qëndrueshëm të Kino Lumbardhit. Me këtë rast u paralajmërua se në kuadër të tranzicionit, drejtori ekzekutiv dhe bashkëthemeluesi i Fondacionit Ares Shporta do të largohet nga kjo detyrë në pranverë të vitit 2022 dhe se pasardhësi apo pasardhësja do të përzgjedhet përmes një thirrjeje publike që do të hapet në fillim të vitit 2022. Për ta shënuar kalimin në Fazën II, Lumbardhi do ta lansojë webfaqen e re ku edhe prezantohet identiteti i ri pamor i Fondacionit dhe arkivi i programeve dhe kërkimeve, shoqëruar me kampanjën digjitale #LumbardhinëTranzit, që do ta zbërthejë këtë proces dhe vizionin përmes mjeteve të ndryshme.
Këtë javë kishim kënaqësinë ta mikpresim kyreshefin ekzekutiv të deritanishëm të Bankës Raiffeisen në Kosovë, z.Robert Wright dhe anëtarin e bordit menaxhues, z.Shukri Mustafa, në kuadër të vizitës lamtumirëse të z.Wright, i cili kaloi në pension sivjet. Në këtë vizitë ata u njoftuan me historikun e kinemasë, fazën e parë të Fondacionit Lumbardhi dhe aktivitetet e planet e realizuara në kuadër të partneritetit me Bankën Raiffeisen, si dhe planet për kremtimin e 70 vjetorit të Kino Lumbardhit si dhe vizionin afatgjatë për të.
Banka Raiffeisen në Kosovë ka mbështetur Lumbardhin që nga viti 2018, ndërsa nga korriku i këtij viti është sponsor gjeneral i Fondacionit Lumbardhi, duke mbështetur tranzicionin në Fazën II, digjitalizimin e programeve, komisionimin e punëve të reja dhe përkrahjen e artistëve vendorë.
Platforma bashkëkrijuese GërrGërr organizoi ngjarjen ‘Mahallë e hapun: Playlista kolektive’, për ta kremtuar hapësirën e re publike që lidhi kopshtin e shtëpisë historike të Shani Efendiut me Kino Lumbardhin dhe Lagjen e Farkëtarëve.
Gjatë ngjarjes, u prezantua qëllimi dhe natyra e ndëhyrjeve dhe pjesëmarrësit u shoqëruan nga programi muzikor “Playlista Kolektive” të përpiluar me kontributin e banorëve dhe zejtarëve të mahallës.
Intervenimi në “Mahallë të hapun” është bazuar në konsultim me hisedarë dhe është hartuar nga KhoraOffice. Punimet janë zbatuar nga platforma bashkëkrijuese GërrGërr në bashkëpunim me Fondacionin Lumbardhi dhe “Plantopija” në kuadër të projektit “City Experiment Fund” të UNDP në Kosovë.
Lumbardhi prezanton ‘Nën qiell të hapur’, një program i larmishëm me ngjarje publike që do të zënë vend në kinemanë e hapur prej 1 qershor deri më 19 shtator, në përputhje me masat e distancimit.
‘Nën qiell të hapur’ sjellë në ekranin e madh të Kino Bahçes programin "KINO", që përbëhet nga gjashtë programe të filmit, përfshirë një retrospektivë të Chris Marker, përzgjedhje nga kolektivi Habibi dhe shfaqje speciale çdo të mërkurë dhe të diele.
Paralelisht rikthehet programi muzikor "Variacionet e dëgjimit" me dy formate të reja të performancave të drejtpërdrejta, "Albumet Pandemike" dhe "Muzgu zanor" si dhe me ripërtritjen e "Tingujt në lëvizje" dhe "Sës-Mës”, që u prezantuan në vitin 2020.
Sezoni i radhës shënon edhe hapjen e dy ekspozitave dhe publikimin e botimeve të realizuara nga projektet kërkimore Kinofigurimi dhe Formimi i Kombit, si dhe prezantimin e punëve të artistëve të angazhuar në programin bashkëpunues QARK. Programi poashtu ndërvepron me festivalet dhe ngjarjet që ndodhin në atë kohë në Prizren, ndërsa forcon bashkëpunimet me partnerë vendorë dhe ndërkombëtarë, si DokuFest, Autostrada Biennale, Filharmonia e Kosovës, Protocinema, Qendra Multimedia dhe DAM Fest, për të përmendur disa.
Sivjet programit i shtohet edhe komponenti i ri edukativ që synon t’i interpretojë programet ekzistuese duke krijuar formate pjesëmarrëse e tërheqëse për të rinjë.
‘Nën qiell të hapur’ fillon me 1 qershor, me një ndërthurrje dhe përzgjedhje të kujdesshme të filmave, muzikës, punëtorive, performancave, koncerteve, botimeve dhe bisedave, që synojnë ta rigjallërojnë jetën kulturore e shoqërore të pezulluar nga pandemia.